Politike

Kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit/ Ivi Kaso: Kuvendi institucion pa autoritet dhe pa dinjitet, të rikthehen standartet institucionale

Kaso shtoi më tej se Peleshi ka legjitimuar një praktikë të rrezikshme përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar.

30 Tetor 2025, 10:52 Nga I.A
Kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit/ Ivi Kaso: Kuvendi institucion
Kuvendi

TIRANË- Deputeti demokrat Ivi Kaso ka lexuar raportin e Opozitës në lidhje me kërkesën për shkarkimin Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kaso ka deklaruar se Kuvendi nën drejtimin e peleshit po kthehet në një institucion pa autoritet dhe pa dinjitet.

Kaso ka theksuar se duhet që të rikthehen standartet institucionale në Kuvend. Kaso shtoi më tej se Peleshi ka legjitimuar një praktikë të rrezikshme përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar.

“Sot nuk jemi në një seancë me rend dite të zakonshëm dhe për të bërë debat por për të adresuar një zgjidhje në të cilën Kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë dhe pa dinjitet, dhe kjo nuk po vjen si pasojë e ndonjë sulmi apo krize të jashtme, por i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari Peleshi. Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, zoti Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik.

Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshkitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standarteve institucionale. 

Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë. Nuk ka rregull që mund të shërbejë si mbulesë për dhunimin e thelbit të parlamentarizmit, në fakt pretendimi se procedura është respektuar, është bërë refreni mbrojtjës i kryetarit të Kuvendit. Procedura nuk është qëllim në vetvete, ekziston për të garantuar të drejtën dhe jo mohuar atë. Kur përdoret për t’i mbyllur gojën opozitës, nuk është më procedurë por abuzim”, shtoi Kaso./Dosja.al

niko peleshi ivi kaso seance plenare 30 tetor 2025

Sondazh

Poll