Politike

Kreu i ILD raporton në Kuvend/ Metani: Sistemi gjyqësor po përballet me mungesa serioze dhe ngarkesë të lartë

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Metanit tha se gjatë vitit të kaluar ILD trajtoi 2854 ankesa, nga të cilat 1374 u shqyrtuan dhe 54 përfunduan me hetim disiplinor.

27 Tetor 2025, 22:45 Nga E. D
Kreu i ILD raporton në Kuvend/ Metani: Sistemi gjyqësor po
Artur Metani

TIRANË- Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani ka theksuar se sistemi gjyqësor shqiptar po përballet me sfida të mëdha që lidhen me ngarkesën e tepërt të gjyqtarëve, mungesën e burimeve njerëzore dhe vonesat në proceset gjyqësore. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Metanit tha se gjatë vitit të kaluar ILD trajtoi 2854 ankesa, nga të cilat 1374 u shqyrtuan dhe 54 përfunduan me hetim disiplinor.

Ai paralajmëroi se mungesat në sistem po ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e gjykimeve dhe në cilësinë e vendimmarrjes. Vetëm në vitin 2024, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore për vonesa të pajustifikuara dhe ka kërkuar procedim disiplinor për 17 magjistratë, mes tyre 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë. Metani adresoi edhe disa problematika në sistemin e drejtësisë, siç është kohëzgjatja e afateve gjyqësore.

“Gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan të mbartura nga vitet e mëparshme. Në total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. 

Është një punë voluminoze dhe trajtimi i tyre bëhet me prioritet për të mos penguar KLGJ-në e KLP-në në proceset e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe në funksion të ngritjeve në detyrë e transferimeve, sipas nevojave të Gjykatave e Prokurorive për të plotësuar vakancat e tyre.

Gjatë vitit 2024, nga ankesat për të cilat ka nisur hetim disiplinor, ILD ka nxjerrë 23 vendime për 25 magjistratë (11 prokurorë, 13 gjyqtarë dhe 1 anëtar këshilli), nga të cilat, 10 vendime të nisura me iniciativë të  Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë vitit 2024 janë vijuar edhe hetimet e filluara nga viti 2023. Nga hetimet e nisura me iniciativë, në dy raste Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe hetime pasurore, nisur nga të dhënat e denoncuara në publik.

Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar”, tha Metani./Dosja.al

artur metani

Sondazh

Poll