Bota

Vjedhja SPEKTAKOLARE që 'mbylli' muzeun më të vizituar në botë! Kaos në zemër të Parisit, tursitët e pranishëm në panik: Ishte si skenë filmash...

Sipas autoriteteve franceze, tre persona të armatosur dhe të maskuar, të përshkruar si “kriminelë të organizuar mirë”, hynë në muze nga një zonë ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi, përgjatë lumit Seine.

19 Tetor 2025, 12:22 Nga M.L
Vjedhja SPEKTAKOLARE që 'mbylli' muzeun më të vizituar
Foto ilustruese

PARIS- Një grabitje e bujshme ka tronditur sot Muzeun e Luvrit në Paris, duke detyruar mbylljen e menjëhershme të institucionit më të vizituar kulturor në botë dhe duke shkaktuar skena paniku mes qindra turistëve. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, vetëm pak minuta pas hapjes së muzeut.

Sipas autoriteteve franceze, tre persona të armatosur dhe të maskuar, të përshkruar si “kriminelë të organizuar mirë”, hynë në muze nga një zonë ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi, përgjatë lumit Seine. Ata përdorën një ashensor ngarkese që i çoi direkt në Galerinë Apollo, aty ku ekspozohen disa nga objektet më të çmuara të koleksionit francez.

Burime hetimore, të cituara nga gazeta Le Parisien, thonë se dy prej autorëve hynë nëpërmjet dritareve të thyera, ndërsa i treti qëndroi jashtë për të siguruar arratisjen. Grabitësit morën nëntë bizhuteri historike, përfshirë një varëse, një broshe dhe një diademë, të cilat i përkisnin Napoleon Bonapartit dhe Perandoreshës Joséphine.

Turistët u gjendën përballë një situate kaotike, ndërsa autoritetet nisën menjëherë evakuimin e godinës. Dëshmitarë okularë përshkruajnë momente konfuzioni, me alarmet që bien dhe forcat e shumta të policisë dhe ushtrisë që marrin kontrollin e perimetrit.

"Radhët ishin të gjata, pastaj na thanë se kishte ndodhur një përpjekje për grabitje. Më pas filloi evakuimi, një skenë që të kujtonte një film si The Da Vinci Code," u shpreh për The Sun një turist britanik.

Ministrja e Kulturës së Francës, Rachida Dati, konfirmoi ngjarjen përmes një postimi në platformën X: Një grabitje ka ndodhur këtë mëngjes në hapjen e MuseeLouvre. Nuk ka lëndime për t’u raportuar. Jam në vendngjarje me ekipet e muzeut dhe policinë. Hetimet po vazhdojnë.

Si ndodhi sulmi në zemër të sigurisë franceze?

Grabitja e ndodhur në një nga institucionet më të mbrojtura në Evropë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e thesareve kulturore. Muzeu i Luvrit strehon mbi 380,000 objekte, përfshirë kryevepra si Mona Lisa dhe Venera e Milos, dhe pret çdo vit rreth 8 deri në 9 milionë vizitorë.

Ngjarja sjell në vëmendje precedentë të mëparshëm të grabitjeve të artit në Paris. Në vitin 1911, Mona Lisa u vodh nga një punonjës i muzeut dhe u rikthye pas dy vitesh. Në vitin 2010, pesë vepra të artistëve si Picasso dhe Matisse u zhdukën nga Muzeu i Artit Modern, ndërsa në 2024 u grabitën me sëpatë shtatë objekte të rralla nga Musée Cognacq-Jay.

Autoritetet franceze kanë nisur një hetim të gjerë për të zbuluar identitetin e autorëve dhe mënyrën sesi ata arritën të depërtojnë në një zonë me siguri të lartë. Grabitja është cilësuar si një operacion i planifikuar me shumë kujdes dhe i organizuar në mënyrë profesionale./ Dosja.al

grabitje ne muzeun e luvrit paris

Sondazh

Poll