Aktualitet

Çështja "Bankers" në SPAK/ Të përfshirë edhe ish-deputetë dhe "Raiffeissen Bank"

Gazetari thekson se puna e SPAK duhet të shkojë përtej hetimeve të Prokurorisë së Fierit, pasi bëhet fjalë për emra me rëndësi të politikës, biznesit dhe bankave. Sipas gazetarit ka ish-deputetë të këtij parlamenti që kanë faturuar kompaninë “Bankers” në miliona euro. 

14 Tetor 2025, 20:34 Nga E. D
Çështja "Bankers" në SPAK/ Të
Bankers

TIRANË- Gazetari Xhevahir Zhabina ka dhënë detaje të reja lidhur lidhur me dosjen "Bankers Petrolium". Duke folur në "MCN Live", Zhabina theksoi se në këtë çështje janë të përfshirë politikanë të Parlamentit, por jo vetëm. Gazetari shprehet se pasi dosja i ka kaluar SPAK, i takon pikërisht këtij institucioni që të shkojë te zyrtarët e lartë dhe biznesmenët që kanë ndihmuar “Bankers” të justifikojë ato fatura, që janë fatura fiktive. Zhabina shton se në dosje është e përfshirë edhe "Raiffeisen Bank". 

Gjithashtu ai nënvizon se hetimet deri më tani ndodhen në fazen e veprave penale dhe jo në emra konkretë. Ndër të tjera gazetari thekson se puna e SPAK duhet të shkojë përtej hetimeve të Prokurorisë së Fierit, pasi bëhet fjalë për emra me rëndësi të politikës, biznesit dhe bankave. Sipas gazetarit ka ish-deputetë të këtij parlamenti që kanë faturuar kompaninë “Bankers” në miliona euro. 

"Përveç grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se shkon për organizata kriminale, duket që ky hetim është marrë seriozisht nga SPAK. Hetimi po ndiqet nga prokurorja Anita Jella, jemi ende në fazën që hetimi është regjistruar vetëm mbi veprat penale dhe jo me emrin e personave konkret. 

Prokuroria Fier i ka identifikuar disa persona, për ish-administratorin, administratorin, disa zyrtarë të tjerë të kompanisë “Bankers”. Tani i takon SPAK të shkojë te zyrtarët e lartë dhe biznesmenët që kanë ndihmuar “Bankers” të justifikojë ato fatura, që janë fatura fiktive. I takon Prokurorisë së Posaçme të vërtetojë nëse këto para kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve të lartë.

SPAK duhet të vërtetojë skemën që është kryer në Patos-Marinëz ndër vite. Organizata kriminale është akuza që më bie në sy, SPAK ka të përcaktuar rolet në këtë aferë, por që i duhet më shumë punë për të shkuar në masa konkrete sigurie. 

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për veprat e mëposhtme penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 

Ka pasur plane për të blerë “Bankers” nga një ish-ministër nga Katari, kur dihet që kjo kompani ka probleme me ligjin dhe është me minus miliarda dollarë humbje me vite. Prokuroria e Fierit ka shkuar deri këtu, tashmë Prokuroria e Posaçme duhet të shkojë më tej se ka banka të përfshira si “Raiffeisen Bank”, biznesmenë të fuqishëm që kanë justifikuar faturat. 

Ka ish-deputetë të këtij parlamenti që kanë faturuar kompaninë “Bankers” në miliona euro. A do të shkojë SPAK drejt masave të sigurisë. Prokuroria e Fierit i ka renditur si fakte, i takon SPAK të shkojë përtej se bëhet fjalë për emra shumë të rëndësishëm të politikës, biznesit dhe bankave. Kjo çështje shkon shumë përtej Fierit. 

Studio ligjore e ish-deputetit Alket Hyseni ka faturuar miliona euro "Bankers". Nuk po themi që jemi përballë një fakti penal për këta persona, por duhet të hetohet. Dukshëm këtu kemi vepra penale shumë të rënda, se Prokuroria Fier i ka hapur rrugë SPAK. Hetimi duhet nisur që nga 2004 ku janë të përfshira disa qeveri," deklaroi Xhevahir Zhabina.

Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.

Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%. Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania./Dosja.al

dosja "bankers petrolium"

Sondazh

Poll