Politike

Ish-deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj emërohet këshilltar i Presidentit Begaj

Burime mediatike bëjnë me dije se Xhaferaj ka nisur detyrën në ditët e fundit, pasi përfundoi zyrtarisht mandatin e deputetit me hyrjen në fuqi të legjislaturës së re parlamentare.

10 Tetor 2025, 15:13 Nga M.L
Ish-deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj emërohet këshilltar i
Ferdinand Xhaferraj

TIRANA- Ferdinand Xhaferaj, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit emërohet këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Emërimi vjen pas përfundimit të mandatit të tij parlamentar dhe vendimit për të mos marrë pjesë në primaret e PD-së për zgjedhjet e ardhshme. 

Burime mediatike bëjnë me dije se Xhaferaj ka nisur detyrën në ditët e fundit, pasi përfundoi zyrtarisht mandatin e deputetit me hyrjen në fuqi të legjislaturës së re parlamentare. Me një karrierë të gjatë akademike dhe politike, Xhaferaj pritet të kontribuojë pranë institucionit të Kreut të Shtetit në fushat ku ka eksperiencë të gjatë, ndonëse deri më tani Presidenca nuk ka publikuar një njoftim zyrtar mbi emërimin e tij.

Ferdinand Xhaferaj ka qenë shpesh kritik ndaj vendimeve dhe drejtimit të Partisë Demokratike në vitet e fundit, ndërsa refuzoi të përfshihej në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj. Në periudhën 2009–2011, ai ka shërbyer si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa për shumë vite ka drejtuar degën e PD-së në Durrës dhe ka përfaqësuar qytetin në Kuvend në pesë legjislatura radhazi.

Kush është Ferdinand Xhaferaj

Ferdinand Xhaferaj ka kryer studimet BA në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1999, z. Xhaferaj ka kryer një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit” dhe më pas ka ndjekur një Master të Dyfishtë (Double Degree Master) për “Siguri Ndërkombëtare” dhe për “Çështje të Sigurisë Kombëtare”, në Naval Postgraduate School, SHBA. Në vitin 2006 përfundon studimet e doktoraturës pranë Akademisë së Mbrojtjes.

Xhaferaj është zgjedhur deputet nga Partia Demokratike Shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë për 5 legjislatura dhe ka mbajtur funksione si:

– Kryetar i delegacionit Parlamentar Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (1996 – 1997)
– Bashkë kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrim në NATO (2007 – 2009)
– Zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Integrim Europian (2005 – 2009)
– Anëtar i Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Parlamentin Europian (2005 – 2009)
– Zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (2021 – 2025)

Gjatë viteve 2009-2011, z. Xhaferaj ka shërbyer si Ministër në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Krahas angazhimit politik, z. Xhaferaj është angazhuar edhe në mësimdhënie duke lektruar në institucione të ndryshme të arsmit të lartë në vend si Akademia Ushtarake, Universiteti i Durrësit, Kolegji Universitar ‘Bedër’. Z. Xhaferaj ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si folës kryesor në çështje të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka publikuar një monografi të titulluar “Deballkanizmi i Ballkanit” botuar nga shtëpia botuese Dudaj. Fushat e tij të interesit janë: shkencat politike, marrëdheniet ndërkombëtare; siguria kombëtare dhe ndërkombëtare. Ferdinand Xhaferaj është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe gjuhës italiane./ Dosja.al

ferdinand xhaferaj partia demokratike bajram begaj

Sondazh

Poll