Politike

Zgjedhja e kryetarit të komanduar/ PD e Vlorës: Elis Halili nuk përfaqëson interesat e qytetarëve

Serjani thekson më tej se emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.

22 Shtator 2025, 17:15 Nga E. D
Zgjedhja e kryetarit të komanduar/ PD e Vlorës: Elis Halili nuk
pamje nga takimi

VLORË- Partia Demokratike Dega Vlorë, ka reaguar pasi Elis Halili është përzgjedhur si kryebashkiak i parakohshëm i Vlorës, pas dorëheqjes së Ermal Dredhës. Zëdhënësi Rezenbrik Serjani, duke folur në një deklaratë për mediat e ka cilësuar emërimin e Halilit akt të turpshëm politik, pasi sipas tyre po zbatojnë urdhrat e Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi.

Serjani thekson më tej se emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste. PD thekson thekson më tej se Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë vlonjatë, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, jam sot për të denoncuar një tjetër akt politik të turpshëm në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Sot, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me votat e shumicës socialiste, shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të kapjes politike dhe shkeljes së çdo norme demokratike.

Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore. Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.

Kryetari i votuar me kartonat e turpit socialist pa legjitimitet dhe në kundërshtim me ligjin, u promovua nga propaganda socialiste si një “udhëheqës” i punëve publike, ndërkohë që në të vërtetë është një zbatues i projekteve më të dëmshme për qytetin: ngushtimi i rrugëve, kaosi në projektin e ujësjellësit, betonizimi pa kriter, shkatërrimi i Sheshit të Flamurit, ngushtimi i Bulevardit Vlorë-Skelë, të cilat janë ndërhyrje të pseudoprojekteve që kanë rrëmbyer miliona euro nga taksat e qytetarëve vlonjatë dhe e kanë bërë Vlorën të mos jetë më Vlorë.

Bashkia e Vlorës, nën sundimin e këtij klani politik, është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.

Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë.

Sot, u komandua një kryetar i paligjshëm bashkie, për të firmosur paligjshmëri! Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar. Vetëm një kryetar bashkie i zgjedhur nga opozita do të jetë zgjidhja përfundimtare e kapjes së Bashkisë Vlorë nga kthetrat e abuzimit, dështimit dhe korrupsionit.

 

Ermal Dredha në muajt e fundit ka qenë pre e kritikave te vazhdueshme nga kryeministri Edi Rama. Kritikat e Ramës ndaj Dredhës kanë qenë si në mbledhjet private pa mediat, por edhe në daljet publike të Kryeministrit. Dredha është kritikuar edhe për mbetjet dhe për mungesën e punës nga ana e drejtorëve te bashkisë Vlorë. Rama shkoi aq shumë me kritika ndaj Dredhës, sa në një mbledhje me drejtorët e Bashkisë Vlorë, e quajti kryebashkiakun si 'Dritan Lela 2.0'./Dosja.al

pd elis halili

Sondazh

Poll