Politike

"Shkrirja e Komisionit të Integrimit e gabuar"/ Ish-kryenegociatori: S’është vepruar drejt, kjo do të sjellë pasoja

Sipas tij procesi i negociatave është thellësisht teknik dhe kërkon përgatitje të strukturuar dhe bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional.

20 Shtator 2025, 20:00 Nga E. D
"Shkrirja e Komisionit të Integrimit e gabuar"/
Zef Mazi

TIRANË- Ish-kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Zef Mazi, ka reaguar me tone të ashpra për vendimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit. I ftuar në emisionin ’Kjo Javë’ në News 24, Mazi theksoi se ky vendim sjell pasoja dhe mbart probleme që duhen parë me kujdes.

Gjatë fjalës së tij ish-kryenegociatori rrëzoi deklaratat e Ramës për integrimin e Shqipërisë brenda 2030 dhe theksoi se rezultatet nuk janë aq të shpejta. Mazi solli në vëmendje shembuj konkretë nga vendet e rajonit për të ilustruar sfidat e integrimit, konkretisht ai përmendi Malin e Zi dhe Serbinë. Sipas tij procesi i negociatave është thellësisht teknik dhe kërkon përgatitje të strukturuar dhe bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional.

Mazi përfundoi duke theksuar se integrimi në BE nuk është vetëm çështje vullneti, por mbi të gjitha ndërtimi i strukturave që mund të zbatojnë atë që negociohet. Ndër të tjera ai theksoi se Marta Kos nuk duhet të japë mesazhe që ngrejnë mendjen njerëzve se do hyjmë nesër apo pasnesër në BE. 

“ Shkrirja e Komisionit, për ta bërë një praktikë të gjerë, mbart një problem tjetër që duhet parë me kujdes. Ministria e Jashtme do të merret me marrëdhëniet e dy shteteve, apo vetëm më çështje të unionit? Mendimi im është që mund të jepen justifikime, por duhej të ishte siç ishte. Nuk është mirë që të ndahen. Është njësoj si të hapësh grup-kapitujsh. Sa më shumë kapituj të hapen, aq më shumë vështirësi ka për t’i mbyllur. Ekipet e mëdha duhet të jenë të specializuar. Duhet të mbyllim të paktën 1. A do të mbyllet në 2026. Unë dyshoj se mbyllet. 

Integrimi varet kryesisht nga rezultatet që duhet të arrijmë ne, por edhe nga shtetet anëtare që duhet të jenë dakord që një grup kapitujsh të konsiderohet i mbyllur. Nuk është e thjeshtë të mendosh se këto probleme do zgjidhen për 2, 3 apo 4 vjet. Rezultatet nuk janë aq të shpejta.

Mali i Zi i hapi negociatat në 2012 dhe, për arsye gjeopolitike, iu hapën menjëherë 32 kapituj. Pas 13 vitesh, ka mbyllur vetëm 3. Serbia ka hapur 24 kapituj dhe ka mbyllur vetëm 2 – edhe pse ka një administratë të madhe dhe mbështetje teknike. Ky proces kërkon mbështetje të gjithanshme nga të gjitha partitë, grupet e interesit, mediat, dhe shoqëria civile. Është një përpjekje kombëtare.

Si mund të negociojmë 83 mijë faqe për dy vite? Teknikisht, e shoh shumë të vështirë. Marta Kos i sheh çështjet politikisht. Ajo do t’i bëjë qejfin elitës që e drejton dhe shteteve kandidate. 

Unë do të doja që vendi im të hynte nesër në BE, por realiteti është ndryshe. Marta Kos nuk duhet të japë mesazhe që ngrejnë mendjen njerëzve se do hyjmë nesër apo pasnesër,” përfundoi Mazi.

zef mazi

Sondazh

Poll