Politike

"Të bëhet prioritet i SHBA-së"/ Kongresmeni amerikan propozon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kongresmeni Mast gjithashtu ka propozuar që Shqipëria dhe Kosova të inkurajohen që të zhvillojnë bazat e tyre të industrisë së mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet kombëtare për mbrojtje në përputhje me objektivat e NATO-s, duke konfirmuar rëndësinë strategjike të pranisë së forcave amerikane në Kosovë si një shtyllë sigurie dhe stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.

20 Shtator 2025, 15:45 Nga E. D
"Të bëhet prioritet i SHBA-së"/ Kongresmeni amerikan
Brian Mast

SHBA- Kongresmeni republikan në SHBA, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongresin Amerikan që synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkan. Siç ka njoftuar organizata “Albanians for America”, amendamenti i paraqitur nga republikani nga Florida përfaqëson një hap domethënës në përcaktimin e prioriteteve strategjike të SHBA-së në rajon. Amendamenti është mbështetur po ashtu edhe nga kongresisti Keith Self.

Amendamenti përfshin disa pika kyçe, përfshirë prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, përfshirë Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe rekomandime konkrete për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj të ardhshëm në NATO.

Ai gjithashtu përfshin një plan për përmirësimin e sigurisë energjetike në rajon, përfshirë zgjerimin e rrjetit të tubacioneve të Kroacisë dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime të tjera, si dhe mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë për të rritur sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Kongresmeni Mast gjithashtu ka propozuar që Shqipëria dhe Kosova të inkurajohen që të zhvillojnë bazat e tyre të industrisë së mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet kombëtare për mbrojtje në përputhje me objektivat e NATO-s, duke konfirmuar rëndësinë strategjike të pranisë së forcave amerikane në Kosovë si një shtyllë sigurie dhe stabiliteti për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu parashikohet vazhdimi i implementimit të programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisjet e inspektimit jo-intruzive në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për parandalimin e trafikut të armëve të paligjshme.

“Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike do të zhvillojë një strategji për të rivendosur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i japë përparësi emërimit të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në vendet e Ballkanit, duke përfshirë qeveritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës; do të përfshijë rekomandime politike në lidhje me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e ardhshëm në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”, thuhet në një pjesë të këtij amendamenti.

brian mast

Sondazh

Poll