Bota

Mbi pesë vite burgim brutal në Bjellorusi, lirohet nga qelia gazetari i Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik

Lirimi i tij ka ndodhur në kuadër të lirimit më të fundit të të burgosurve politikë, në mes të një ngrohje të raporteve ndërmjet Minskut dhe Uashingtonit.

11 Shtator 2025, 16:26 Nga E. D
Mbi pesë vite burgim brutal në Bjellorusi, lirohet nga qelia gazetari
Ihar Losik

BJELLORUSI- Gazetari i Radios Evropa e Lirë (REL), Ihar Losik, është liruar nga burgu, pasi ka kaluar më shumë se pesë vjet prapa grilave në kushte brutale në Bjellorusi, mbi bazën e akuzave të fabrikuara.

Lirimi i tij ka ndodhur në kuadër të lirimit më të fundit të të burgosurve politikë, në mes të një ngrohje të raporteve ndërmjet Minskut dhe Uashingtonit.

Losik mbërriti në Lituaninë fqinje më 11 shtator, bashkë me 51 të tjerë, disa orë pasi u lirua nga një burg në Bjellorusinë veriore.

"I jemi jashtëzakonisht falënderues presidentit [Donald] Trump për sigurimin e lirimit të një tjetër gazetari trim të REL-it, që mbahej padrejtësisht në burg nga autoritetet bjelloruse", tha presidenti dhe shefi ekzekutiv i REL-it, Steven Capus, nëpërmjet një deklarate nga Vilniusi.

Capus lavdëroi edhe rolin e luajtur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zëvendësemisari i posaçëm John Coale, qeveria e Lituanisë, dhe organizatat për media të lira për "mbështetjen e tyre të vazhdueshme për gazetarët e burgosur të REL-it".

Losik, 33-vjeçar, ishte dënuar me 15 vjet burgim në dhjetorin e 2021-tës, për gjoja "organizim të trazirave masive, për pjesëmarrje në trazira masive, dhe për nxitje të urrejtjes shoqërore", si dhe për disa akuza të tjera të paspecifikuara në lidhje me trazirat që shpërthyen në Bjellorusi pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të gushtit të 2020-tës.

Losik, REL-i dhe qeveritë perëndimore kanë thënë vazhdimisht se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Ai ishte gjykuar bashkë me Syarhey Tsikhanouskin, bloger i popullarizuar dhe kundërshtar i mundshëm i udhëheqësit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko, të cilin dukej se mund ta sfidonte seriozisht.

Tsikhanouski u lirua nga burgu në qershorin e sivetjmë, bashkë me 13 të burgosur të tjerë, përfshirë një tjetër ish-gazetar të REL-it, Ihar Karnei.

Lirimi i Losikut ndodhi më pak se një muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump, telefonoi Lukashekon - hera e parë që një president amerikan në pushtet ka biseduar drejtpërdrejt me udhëheqësin e Bjellorusisë gjatë 31 vjetëve të tij në pushtet - për ta falënderuar për lirimin e të burgosurve në qershor.

Trump e përshkroi bisedën telefonike si "shumë të mirë", teksa tha se ishte diskutuar edhe për lirimin e të burgosurve të tjerë.

Në shkurt, Andrey Kuznechyk, tjetër gazetar i Shërbimit të Bjellorusisë të REL-it, u lirua pasi kaloi më shumë se tre vjet prapa grilave mbi bazën e akuzave të ngjashme.

Në më shumë se pesë vjetët që prej arrestimit, Losik, i cili punonte për Shërbimin e Bjellorusisë të REL-it, i njohur si Radio Svaboda, është përballur me izolim, dhe me trysni të mëdha fizike dhe psikologjike./REL

ihar losik

Sondazh

Poll