Aktualitet

Të përfshirë në rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, arrestohen 3 persona në Tiranë, kalonin njerëz në SHBA dhe Kanada

Në pranga ka rënë 58-vjeçari Hazir Maçi, i cili u merrte njerëzve nga 20 deri në 30 mijë dollarë, duke iu premtuar që t'i dërgonte në SHBA ose Kanada. Në pranga ka rënë dhe Cerkez Nikoci si dhe një person tjetër me iniciale L.M. 

11 Shtator 2025, 10:07 Nga I.A
Të përfshirë në rrjet kontrabande qeniesh njerëzore,
Policia

TIRANË- Tre persona janë arrestuar në Tiranë për kontrabandë të qenieve njerëzore. Mësohet se këta persona në bashkëpunim, ndihmonin njerëzit që nga Shqipëria të kalonin në Kanada ose në SHBA. 

Në pranga ka rënë 58-vjeçari Hazir Maçi, i cili u merrte njerëzve nga 20 deri në 30 mijë dollarë, duke iu premtuar që t'i dërgonte në SHBA ose Kanada. Në pranga ka rënë dhe Cerkez Nikoci si dhe një person tjetër me iniciale L.M. 

Këta persona merrnin njerëz nga Shqipëria dhe i transportonin drejt disa vendeve të BE dhe më pas në ishujt Karaibe, me qëllim final për t'i dërguar në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit Goditet një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore. Operacioni policor i koduar “Rrjeti”,  nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës. Arrestohen 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në një rrjet kontrabande qeniesh njerëzore, e njohur ndryshe si dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj. Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, L. M., 58 vjeç dhe C. N., 62 vjeç.

Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash cash, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit. Policia e Shtetit gjen dhe një herë rastin të falënderojë Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, partnerët ligjzbatues amerikanë DSS/OCIU këtu në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, të cilët kanë koordinuar dhe bashkërenduar ngushtë punën me agjencitë e tyre homologe në Republikën e Kosovës dhe Republikën Domenikane, por dhe me partnerë të tjerë ligjzbatues në Policinë e Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali. Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar.

hazir maçi cerkez nikoci

Sondazh

Poll