Politike

PD-ASHM depoziton padi në Kolegjin Zgjedhor: Të rrëzohet vendimi i Komisionit Rregullator që certifikoi rezultatin e zgjedhjeve

Sipas padisë, në qarkun e Tiranës për shkak edhe të numrit të popullsisë dhe administratës, problematikat kanë qenë më të përhapura. 

1 Shtator 2025, 16:29 Nga r.ll
PD-ASHM depoziton padi në Kolegjin Zgjedhor: Të rrëzohet vendimi
selia e pd

TIRANË- Koalicioni i opozitës PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështorë ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor padinë që kundërshton vendimin e Komisionit Rregullator të KQZ-së, që certifikoi zyrtarisht zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 

Konkretisht, PD-ASHM kërkon rrëzimin e vendimit dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhore, duke argumentuar se procesi është zhvilluar me shkelje ligjore dhe problematika. Këto shkelje, sipas opozitës janë: përdorimi i burimeve publike në fushatë, intimidimi i votuesve, patronazhistët, shpërdorimi i administratës publike dhe fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale.

Sipas padisë, në qarkun e Tiranës për shkak edhe të numrit të popullsisë dhe administratës, problematikat kanë qenë më të përhapura. 

"Përkundrazi, siç dëshmojnë provat, raportet e monitoruesve dhe evidencat e mbledhura, fenomenet e shpërdorimit të burimeve publike, intimidimit të votuesve, patronazhit politik dhe ndërhyrjes së grupeve të organizuara kriminale kanë qenë të pranishme edhe në qarqe të tjera si Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, Fieri, Korça, Dibra e më gjerë. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me parregullsi të rastësishme apo sporadike, por me një model të përsëritur dhe të qëllimshëm, që ka cenuar barazinë e garës zgjedhore dhe lirinë e votës.", thuhet ndër të tjera në padi.

PADIA E DEPOZITUAR: 

Të nderuar anëtarë të Kolegjit të Zgjedhjes,

Siç dihet, zgjedhjet për Kuvendin u caktuan në datën 11 Maj 2025 me dekretin përkatës të Presidentit të Republikës. Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme dhe raportimeve të shumta për shkelje të ligjit dhe parregullsi të rënda gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, reagimi i institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e rendit, ka qenë i vakët dhe jo proporcional me seriozitetin e problematikave të konstatuara. Mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme dhe e masave efektive ndëshkuese ka thelluar mosbesimin e qytetarëve dhe të subjekteve zgjedhore në paanshmërinë dhe integritetin e procesit.

Në Qarkun Tiranë, ku përqendrimi i popullsisë dhe i administratës publike është më i madh, këto problematika kanë qenë të theksuara, por nuk janë kufizuar vetëm aty. Përkundrazi, siç dëshmojnë provat, raportet e monitoruesve dhe evidencat e mbledhura, fenomenet e shpërdorimit të burimeve publike, intimidimit të votuesve, patronazhit politik dhe ndërhyrjes së grupeve të organizuara kriminale kanë qenë të pranishme edhe në qarqe të tjera si Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, Fieri, Korça, Dibra e më gjerë. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me parregullsi të rastësishme apo sporadike, por me një model të përsëritur dhe të qëllimshëm, që ka cenuar barazinë e garës zgjedhore dhe lirinë e votës.

Në këtë kontekst, është e qartë se zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk kanë përmbushur standardet kushtetuese dhe ligjore të parashikuara nga neni 1 dhe neni 45 i Kushtetutës, si dhe nenet themelore të Kodit Zgjedhor. Procesi nuk ka qenë as i lirë, as i ndershëm, dhe për pasojë nuk mund të prodhojë një rezultat legjitim.

Duke qenë se këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raporte ndërkombëtare të besueshme si ai i OSBE-ODIHR, si dhe nga provat konkrete të administruara prej nesh si subjekt zgjedhor, qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: Ne kërkojmë që zgjedhjet e 11 majit 2025 të mos certifikohen, të mos miratohen dhe të mos shpallet rezultati i tyre sipas propozimit të ardhur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi.

Vetëm një vendimmarrje e tillë nga ana e Kolegjit Zgjedhor do të shërbente si garanci për mbrojtjen e parimeve demokratike, respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe vendosjen e një precedent të domosdoshëm për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ndaj, për të gjitha këto arsye, si dhe bazuar mbi argumentat shtesë dhe provat që do të paraqesim edhe në seancën e gjykimit perpara Kolegjit, çmojmë t'i kërkojmë përfundimisht Kolegjit Zgjedhor, pranimin e plotë të padisë sipas objektit të saj, duke vendosur:

Ndryshimin e Vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KQZ, duke vendosur rrëzimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025.

PADITËSI:

Koalicioni "PD-ASHM"

PD-ASHM depoziton padi në Kolegjin Zgjedhor: Të rrëzohet vendimiPD-ASHM depoziton padi në Kolegjin Zgjedhor: Të rrëzohet vendimi

koalicioni pd-ashm komisioni rregullator zgjedhjet e 11 majit

Sondazh

Poll