Politike

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Meta: Humbje e madhe për kulturën shqiptare

Meta e cilëson Anagnostin jo vetëm si një kineast të jashtëzakonshëm dhe mendimtar të thellë, por edhe si një emër që i dha dinjitet, identitet dhe peshë ndërkombëtare kinemasë sonë.

1 Shtator 2025, 09:41 Nga I.A
Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Meta: Humbje e madhe për
Dhimiter Anagnosti dhe Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Me anë të një postimi në Facebook, Meta shkruan se Anagnosti la trashëgimni një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme. Meta e cilëson Anagnostin jo vetëm si një kineast të jashtëzakonshëm dhe mendimtar të thellë, por edhe si një emër që i dha dinjitet, identitet dhe peshë ndërkombëtare kinemasë sonë.

Postimi i plotë:

Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj. Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.

Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale. Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor. Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit. Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!

dhimitër anagnosti ilir meta

Sondazh

Poll