Bota

Vendosja e anijeve detare të SHBA-së në Karaibe, Maduro: Nuk ka shanse për pushtim ushtarak amerikan dhe ndryshim regjimi në Venezuelë

Ambasadori i Venezuelës në Kombet e Bashkuara, Samuel Moncada, i shkroi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke i kërkuar atij t'i bëjë thirrje qeverisë amerikane që të ndalojë një herë e përgjithmonë veprimet dhe kërcënimet e saj armiqësore dhe të respektojë sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendit të tij.

29 Gusht 2025, 07:40 Nga r.ll
Vendosja e anijeve detare të SHBA-së në Karaibe, Maduro: Nuk ka
nicolas maduro

VENEZUELË- Nuk ka asnjë mundësi që forcat amerikane të pushtojnë dhe të ndryshojnë regjimin në Venezuelë. Kështu ka deklaruar të enjten presidenti i vendit latino-amerikan, Nicolas Maduro, pasi Uashingtoni dërgoi të paktën pesë anije luftarake në Karaibe në atë që e quajti një përpjekje për të luftuar trafikun e drogës.

"Nuk ka asnjë mundësi që ato të jenë në gjendje të hyjnë në Venezuelë", siguroi Maduro, duke theksuar se vendi i tij është gati të mbrojë paqen, sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

"As me sanksione, as me bllokadë, as me luftë psikologjike, as me rrethim. Ata nuk ia dolën dhe nuk do të ia dalin", këmbënguli ai, duke iu drejtuar ushtrisë.

Presidenti venezuelian vazhdon të denoncojë kërcënimin e një zbarkimi të trupave amerikane, si një operacion ndryshimi regjimi. Nga ana tjetër qeveria amerikane nuk ka kërcënuar publikisht se do të pushtojë vendin deri më sot. Por Uashingtoni akuzon Maduron se është "kreu" i një bande trafikimi droge, Cártel de los Soles ("Karteli i Diejve"). Kohët e fundit, ai e rriti shpërblimin që ofron për informacionin që çon në kapjen e tij në 50 milionë dollarë.

Ambasadori i Venezuelës në Kombet e Bashkuara, Samuel Moncada, i shkroi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke i kërkuar atij t'i bëjë thirrje qeverisë amerikane që të ndalojë një herë e përgjithmonë veprimet dhe kërcënimet e saj armiqësore dhe të respektojë sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendit të tij.

Gjatë ushtrimeve ushtarake, një pjesë e të cilave u transmetua dje në televizionin shtetëror, Koloneli i Ushtrisë Venezueliane, Ramos Salazar, theksoi se ndërsa "jemi të rrethuar nga perandoria më gjenocidale në historinë e njerëzimit, Shtetet e Bashkuara", anëtarët e forcave të armatosura të vendit të tij, "revolucionarët", do të marrin një pozicion "në vijën e frontit" për të "mbrojtur atdheun e Bolivarit dhe Chavezit", duke iu referuar përkatësisht babait të pavarësisë së vendeve të rajonit, Simón Bolívar (1783-1830) dhe ish-presidentit (1999-2013) Hugo Chavez.

 

nicolas maduro venezuele

Sondazh

Poll