Politike

Zhupa: Ministria e Kulturës të nis punën për objektet e kultit të dëmtuara nga zjarret! Duhet restaurimi nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike

Zhupa shprehet se nga zjarret janë dëmtuar Kisha e Senicës në Delvinë, Kisha e Leftehorit, Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe Kisha në Lekel në Tepelenë.

21 Gusht 2025, 12:17 Nga N.F
Zhupa: Ministria e Kulturës të nis punën për objektet e
Zhupa

TIRANË- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa përmes një postimi në "Facebook" ka bërë thirrje se dohet të nisë rikonstruktimi i të gjithë objekteve kulturore të cilat janë demtuar nga zjarret në vend. Zhupa shprehet se nga zjarret janë dëmtuar Kisha e Senicës në Delvinë, Kisha e Leftehorit, Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe Kisha në Lekel në Tepelenë.

Ajo i ka bërë thirrjes Ministrisë së Kulturës dhe ministri Blendi Gonxhe që të evidentohen dëmet dhe më pas specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike të kryejnë restaurimet. Zhupa shtoi se duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura të këtyre objekteve.

"Objektet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore që u dogjën nga zjarret nuk mund të lihen në harresë dhe të dëmtuara. Gjatë zjarreve të cilat sollën dëme të jashtëzakonshme u dogjën dhe 4 objekte kulti dhe pjesë e trashëgimisë kulturore historike shqiptare. Konkretisht: Kisha e Senicës në Delvinë, Kisha e Leftehorit në Delvinë, Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe Kisha në Lekel në Tepelenë.

Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive por është detyrë e MEKI, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministri Blendi Gonxhe, përgjegjës dhe për kulturën, duhet pa vonesa të marr përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashërendim me komunitetet fetare të ngrejë një grup ekspertësh, inxhinieresh, përfaqësues të komunitetit fetar që bëjnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim.

Po ashtu duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura. Shteti shqiptar duhet të sigurojë fonde të plota vetëm ose në bashkëpunim me donator për restaurimin e këtyre objekteve të kultit dhe trashëgimisë. Restaurimi duhet të bëhet nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike.

Kjo është kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për vetë zonat e prekura të cilat duhet rikthehen sic kanë qënë. Do jetë nga cështjet prioritare të kulturës për të cilat do kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën,' shkruan Zhupa.

zhupa

Sondazh

Poll