Aktualitet

Vrasja e Artur Bashimit në Greqi/ Autori priti shënjestrën dhe e qëlloi në kokë, herën e dytë arma u bllokua, në vendngjarje u gjet një fishek

Ai ka tentuar të tërheqë këmbëzën për t'u siguruar që e ka vrarë shqiptarin por fisheku ka rënë në tokë. Menjëherë më pas ai është larguar duke e lënë Bashimin të pajetë.

19 Gusht 2025, 09:58 Nga N.F
Vrasja e Artur Bashimit në Greqi/ Autori priti shënjestrën dhe e
Foto nga vendi i ngjarjes

GREQI- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin mafioz të regjistruar mbrëmjen e djeshme të 47-vjeçarit shqiptar Artur Bashimi në rrugën Michael Voda, në Agios Panteleimonas. Nga kamerat e sigurisë është zbuluar se autori ka mbërritur në vendin e ngjarjes me motor dhe më pas ka pritur të mbërrijë shënjestra.

Mediat greke e kanë përshkruar autorin si një person me gjatësi mesatare, të veshur me rroba të errëta dhe me helmetë në kokë. Pasi ka pritur në këmbë objektivin e tij, autori është hedhur në aksion menjëherë sapo 47-vjeçari mbërriti në vendin e ngjares.

Autori iu afrua dhe e qëlloi me plumb nga një distancë e afërt duke e lënë të vdekur. Autori tentoi të qëllonte sërish por arma u bllokua. Ai ka tentuar të tërheqë këmbëzën për t'u siguruar që e ka vrarë shqiptarin por fisheku ka rënë në tokë. Menjëherë më pas ai është larguar duke e lënë Bashimin të pajetë.

Bashimi kishte qenë i arrestuar më herët në Greqi për vjedhje dhe përfshirje në organizata kriminale. Ai u arrestua në shkurt të vitit 2022 si pjesë e një grupi që kryente grabitje në mjetet e transportit publik, ndërsa u ndalua sërish në prill 2024 për akuza të ngjashme.

Burime policore konfirmojnë se i ndjeri është vëllai i Marsel Bashimit, i njohur ndryshe me mbiemrat Shkurtaj dhe Gozhita, një emër i përfshirë në disa dosje të rënda kriminale si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku. Hetimet greke po verifikojnë nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal të vëllezërve Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe të tjera.

 

vrasja e artur bashimit në greqi

Sondazh

Poll