Politike

"Rama shpenzoi 490 milionë euro për luks dhe afera", Berisha: Me një të katërtën e tyre do ishin blerë 10 avionë kundër zjarreve, 4 helikopterë dhe 180 makina zjarrfikëse

Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se gjatë qeverisjes së tij ka treguar një indiferencë të madhe ndaj këtij problemi madhor i cili solli dëme të mëdha për shumë banorë. 

18 Gusht 2025, 13:01 Nga N.F
"Rama shpenzoi 490 milionë euro për luks dhe afera",
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike ka mbajtur ditën e sotme një deklaratë për mediat ku ka folur në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se gjatë qeverisjes së tij ka treguar një indiferencë të madhe ndaj këtij problemi madhor i cili solli dëme të mëdha për shumë banorë. 

Sipas tij Rama ka shpenzuar 24 milionë euro në udhëtime për dy vite dhe nuk mori asnjë masë për mjete antizjarr. Ai përmendi edhe rastin e inceneratorit të Tiranës, teksa theksoi se Rama është përgjegjës për situatën katastrofale të zjarreve në vend. Berisha shtoi se me një të katërtën e harxhimeve për luks, Rama mund të kishte blerë 10 avionë kundër zjarreve, 4 helikopterë dhe 180 makina zjarrfikëse.

"Në 15 vite, Edi Drama apo Ramaduro tregoi indiferencë të plotë ndaj këtij problemi madhor për çdo vend mesdhetar. Flota ajrore ekzistuese, ndër vite u përgjysmua, nga 8 helikopterë, sot janë në funksion as 3. Ndërkohë është krim shtetëror sepse Edi Rama për udhëtimet e veta me avion në dispozicion ka shpenzuar në dy vite në 140 udhëtime, 24 milionë euro.

Mungesa e mjeteve antizjarr dhe dëmet e mëdha të zjarreve janë krim shtetëror se në këto vite Edi Rama ka paguar vetëm për djegësin e Tiranës 130 milionë euro dhe atij nuk i gjenden as gjurmë, dhe për djegësit në tërësi mbi 200 milionë euro dhe asnjë nuk funksionon.

Edi Rama është përgjegjës direkt për situatën katastrofale të mjeteve antizjarr në Shqipëri, ndaj dhe dëmet e zjarreve janë një krim shtetëror sepse nga paratë e taksapaguesve shqiptare, i paguan Beketit 120 milionë euro, për faktin e vetëm se Ramaduro nuk duronte dot fjalën e lirë dhe kritikat nga një media e pavarur.

Dëmet nga zjarret janë një krim shtetëror jo se ato i shkaktoi qeveria, por qeveria u tregua e papërgjegjshme dhe Shqipëria kishte shkallën më të dobët të pajisjeve, të mjeteve, të reagimit ndaj tyre. Vetëm në Porto Romano, në aferën e Porto Romanos, iniciativë direkt personale e Edi Ramës, nga 19 milionë euro që dolën nga buxheti i shtetit, u shpenzuan për punimet gjithsej 6.7 milionë, 13 milionë u ndanë me Edi Ramën dhe hajdutët e tij.

Për dëmet e tmerrshme të zjarreve këtë vit, shkoni shihni Delvinën si është bërë. Asnjë luftë nuk i ka shkaktuar Delvinës ato që i shkaktuan këto zjarre. Është përgjegjës Edi Rama direkt. Vetëm me tunelin e Llogarasë, për shkak të diferencës mes ofertës së parë dhe të dytë, janë vjedhur 50 milionë euro. Kopshti i Edenit, vendi nuk ka zjarrfikëse, nuk ka helikopterë, nuk ka Kanadair apo avionë të tjerë të shuarjes së zjarreve, as të blerë dhe as të kontraktuar me qira, ndërkohë Edi Rama paguan 5 milionë për të vendosur Kopshtin e Edenit në oborrin e kryeministrisë, paguan 7 milionë euro kompaninë private ditën e zgjedhjeve për të manipuluar zgjedhjet, Giro D’Italia, paguan 10 milionë euro për lobim, satelitët që na duheshin për zjarret.

Dhe pikërisht në vitet kur kishim edhe shikimin satelitor, zjarret bënë kërdinë si asnjëherë tjetër më parë. Të gjitha këto shuma të paguara nga qytetarët e Delvinës dhe qytetarët shqiptarë, nga taksat e tyre, janë rreth 490 milionë euro. Në qoftë se vetëm një e katërta e tyre do përdorej për mjetet antizjarr, Shqipëria do të kishte së paku 7 deri në 10 Kanadair të përdorur. Do të kishte katër helikopterë të tjerë dhe së paku 180 zjarrfikëse. Me një të katërtën. Po në qoftë se përdorej gjysma, këto shifra do ishin dy herë, tre herë më të mëdha. Ja pse dëmet nga djegiet janë një krim shtetëror," tha ai.

berisha

Sondazh

Poll