Politike

Zjarret në vend, Berisha: Forcat e angazhuara numëroheshin me gishtërinjtë e duarve! Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr

Berisha u shpreh se situata e zjarreve janë një krim shtetëror. Ai theksoi se personat që janë përgjegjës për zjarret duhet të marrin dënimin e merituar.

18 Gusht 2025, 12:57 Nga N.F
Zjarret në vend, Berisha: Forcat e angazhuara numëroheshin me
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat ka folur lidhur me situatën e zjarreve në vend. Berisha u shpreh se situata e zjarreve janë një krim shtetëror. Ai theksoi se personat që janë përgjegjës për zjarret duhet të marrin dënimin e merituar.

Berisha gjithashtu dënoi propagandën e qeverisë ku flisnin për dhjetëra mijëra forca të angazhuara ndërkohë sipas tij zjarrfikësit numëroheshin me gishtat e duarve. Ai shtoi se për shkak të korrupsionit, vjedhjes dhe indiferencës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.

"Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje. Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera. Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona. Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve.

Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë. Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë. Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies dhe ata meritojnë ndëshkimin ligjor më të madh. Shpreh solidaritetin tim të madh për të gjithë të dëmtuarit, viktimat, të plagosurit dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh, fshatarësh që humbën gjithçka kishin për shkak të zjarreve.

Por dënoj si një krim shtetëror propagandën e neveritshme, mashtruese të narkoqeverisë, e cila bënte fjalë për dhjetëra mijëra forca të angazhuara, në një kohë kur nga fushë beteja, gazetarët informonin se atje numëroheshin me gishtërinjtë e duarve zjarrfikësit apo forcat e tjera në shuarjen e zjarreve. Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror. Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.

Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve. Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional," tha Berisha.

berisha

Sondazh

Poll