Bota

Temperatura mbi 40 gradë Celsius/ Zjarret në Evropë godasin vendet turistike dhe pyjet, regjistrohen viktimat e para në disa shtete: Po piqemi për së gjalli, kjo nuk mund të vazhdojë

Ndryshimet e temperaturave si në verë dhe dimër janë ndikuar nga ngrohja globale duke e bërë çdo sezon veror vit pas viti të pa përballueshëm sidomos për rajonin e Mesdheut i cili po përballet edhe me vatra të shumta zjarri.

12 Gusht 2025, 22:36 Nga N.F
Temperatura mbi 40 gradë Celsius/ Zjarret në Evropë godasin
Foto

TIRANË- Temperaturat e larta kanë goditur Evropën e cila dita-ditës po përjeton momente ferri. Me temperaturat e larta vijnë edhe pasoja të tjera si zjarret të cilat po djegin shtete të shumta të Evropës si Spanjia, Portugalia, Greqia, Turqia dhe Ballkani.

Temperaturat ditët e fundit i kalojnë 40 gradë Celsius duke e vëshitrësuar jetën e evropianëve në përditshmëri. Ndryshimet e temperaturave si në verë dhe dimër janë ndikuar nga ngrohja globale duke e bërë çdo sezon veror vit pas viti të pa përballueshëm sidomos për rajonin e Mesdheut i cili po përballet edhe me vatra të shumta zjarri.

“Po piqemi për së gjalli, kjo nuk mund të vazhdojë,” tha një kryetar bashkie në Portugali, Alexandre Favaios, ndërsa tre zjarre digjeshin.

Në periferi të kryeqytetit spanjoll Madrid, një zjarr u bë shkak për vdekjen e një burri që punonte në një stallë kuajsh. Zjarri arriti në disa shtëpi e ferma, por u vu nën kontroll të martën. Një burrë gjithashtu vdiq në një zjarr në Shqipëri, ndërsa një punëtor sezonal hungarez 61-vjeçar dyshohet të ketë vdekur nga shkaqe të lidhura me të nxehtin teksa mblidhte fruta në Lleida, në rajonin lindor të Katalonjës në Spanjë.

Në zonën malore Kuci të Malit të Zi, në verilindje të kryeqytetit Podgoricë, një ushtar u vra dhe një tjetër u plagos rëndë kur një cisternë uji që po operonin u përmbys. Në Tarifa, në skajin më jugor të gadishullit Iberik, pushuesit në plazh dhe kuzhinieri i njohur Jose Andres filmuan flakët dhe tymin e zi mbi kodrat me vila të lyera me të bardhë.

Autoritetet në Shqipëri, Mal të Zi, Gjermani, Spanjë, Itali dhe Francë shpallën lloje të ndryshme paralajmërimesh për të nxehtin. Në Shqipëri, sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe tokash bujqësore janë djegur nga zjarret gjatë javës së fundit, dhe 30 zjarre të veçanta vazhdojnë të digjen të nxitura nga erërat e forta.

Ministria e Mbrojtjes tha se katër helikopterë të ushtrisë dhe 80 ushtarë po ndihmonin zjarrfikësit. Ajo gjithashtu raportoi vdekjen e një burri që dyshohet se kishte ndezur në oborrin e shtëpisë së tij një zjarr që u përhap në një zonë më të gjerë.

Në Greqi zjarret e fuqishme, në disa raste të nxitura nga erëra me forcë të madhe, detyruan evakuimin e disa fshatrave dhe një hoteli në ishujt turistikë Zakynthos dhe Cephalonia në Detin Jon, si dhe në katër zona të tjera të territorit. Një zjarr në rajonin jugor grek të Achaia-s detyroi banorët e pesë fshatrave pranë një zone industriale të iknin, ndërsa 85 zjarrfikës dhe 10 avionë u përpoqën të ndalonin zjarrin nga arritja në shtëpi pranë qytetit perëndimor grek të Vonitsa-s.

zjarret ne evrope

Sondazh

Poll