Politike

Seanca e fundit u shty sepse gjyqtari shpalli moskompetencë, GJKKO shqyrton më 13 gusht kërkesën e Metës për heqje të masës "arrest në burg"

Në seancën e fundit gjyqtari Erjon Bani me kërkesë të avokatit të Metës shpalli moskompetencën, sepse çështja duhet të gjykohet nga gjyqtari që ka vendosur masën e sigurisë dhe ka ndjekur hetimet paraprake.

11 Gusht 2025, 10:30 Nga r.ll
Seanca e fundit u shty sepse gjyqtari shpalli moskompetencë, GJKKO shqyrton
ilir meta

TIRANË- Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë më 13 gusht në orën 10:00 kërkesën e presidëntit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, për heqjen e masës "arrest në burg". 

Raportohet se kërkesa e Metës do të shqyrtohet nga gjyqtari Erjon Çela. Kjo sepse në seancën e fundit gjyqtari Erjon Bani me kërkesë të avokatit të Metës shpalli moskompetencën, sepse çështja duhet të gjykohet nga gjyqtari që ka vendosur masën e sigurisë dhe ka ndjekur hetimet paraprake.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani shpjegoi pas seancës se gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela është me pushime dhe për këtë arsye çështja u mor përsipër nga gjyqtari i gatshëm Erjon Bani. Cakrani kërkoi që kërkesa për lirimin e Ilir Metës të shqyrtohet nga Çela dhe jo nga Bani.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, Kryemadhi u hetua për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

ilit meta gjkko erjon çela erjon bani

Sondazh

Poll