Politike

Nga shoqërimi me masa të shtuara në spital te kufizimi për aktivitet sportiv/ Zbardhen shqetësimet dhe pretendimet e ngritura nga Meta dhe Veliaj në takimet me Avokaten e Popullit

Pasi dy komisionerët kundër torturës të administrojnë ankesat, do t’i kërkojnë institucioneve përkatëse se cili është plani i masave ditën që Veliaj u shoqërua në spital dhe cili është plani i masave pranë 313-ës se si shoqërohet Meta në këtë paraburgim.

7 Gusht 2025, 12:51 Nga r.ll
Nga shoqërimi me masa të shtuara në spital te kufizimi për
ilir meta, erion veliaj

TIRANË- Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Parandalimin e Torturës kanë zhvilluar takime me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Gjatë dy takimeve, ata kanë dëgjuar pretendimet e ngritura nga politikanët për arrestimet dhe qëndrimin në burg.

Ndërkohë janë zbardhur edhe disa nga pretendimet e Ilir Metës dhe Erjon Veliajt. Sipas gazetares Anila Hoxha, kryebashkiaku Veliaj ka thënë se shoqërimi i tij nga forca të shumta policie drejt spitalit ka qenë jo proporcional dhe diskriminues. Gjithashtu ka shprehur shqetësim edhe për mënyrën se si po trajtohet në qeli.

Nga ana tjetër, kreu i PL-së, Ilir Meta ka pretenduar se kur del në ajrim ka vërejtur masa të shtuara dhe se nuk e bën ajrimin njësoj si të burgosurit e tjerë. Gjithashtu ka ngritur shqetësim për ushtrimin e aktivitetit sportiv që e ka të kufizuar dhe për izolimin.

Bëhet me dije se pasi dy komisionerët kundër torturës të administrojnë ankesat, do t’i kërkojnë institucioneve përkatëse se cili është plani i masave ditën që Veliaj u shoqërua në spital dhe cili është plani i masave pranë 313-ës se si shoqërohet Meta në këtë paraburgim.

Arrestimi i Erion Veliajt

Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

Arrestimi i Ilir Metës

Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

ilir meta erion veliaj avokatja e popullit

Sondazh

Poll