Politike

"Gabimin e 2011 nuk do ta përsërisim në 2025", Këlliçi: Nuk kemi një kalendar protestash për momentin, vendimet do merren pas raportit përfundimtar të OSBE për zgjedhjet

Këlliçi nënvizoi se opozita është gjithashtu në pritje të një qëndrimi zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri.

4 Gusht 2025, 16:08 Nga r.ll
"Gabimin e 2011 nuk do ta përsërisim në 2025",
belind kellici

TIRANË- Deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi është shprehur ditën e sotme se e gjithë vëmendja e opozitës do të përqendrohet te denoncimi i shkeljeve zgjedhore të 11 majit. 

I ftuar në një intervistë për Neës24, Këlliçi tha se ndryshe nga viti 2021, këtë herë Partia Demokratike do të ndjekë një qasje më të unifikuar dhe të kujdesshme, duke pritur raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore para se të marrë vendime për kalendarin e protestave apo aksione të tjera politike.

“Gabimin që PD bëri në vitin 2021 nuk do ta përsërisim në vitin 2025. Çdo riorganizim i mundshëm do të vendoset nga forumet më të larta të partisë, jo në mënyrë individuale,” u shpreh Këlliçi. Lidhur me përgatitjet për nisjen e sesionit të ri parlamentar, ai theksoi se opozita do të fokusohet në denoncimin publik të parregullsive zgjedhore, ndërsa bashkë me Sali Berishën dhe drejtues të tjerë të PD-së do të presin edhe reagime ndërkombëtare.

“Deri në publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, ne do të fokusohemi te dokumentimi dhe denoncimi i farsës elektorale. Nuk kemi një kalendar protestash për momentin. Vendimet do të diskutohen pas dorëzimit të raportit përfundimtar,” shtoi ai.

Këlliçi nënvizoi se opozita është gjithashtu në pritje të një qëndrimi zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri.

belind këlliçi zgjedhjet e 11 majit partia demokratike

Sondazh

Poll