Politike

Metës iu komunikuan akuzat nga SPAK, avokati: Seanca ishte e qetë, ish-Presidenti kërkoi shpjegim përse nuk janë bërë hetime të thelluara për lobimin

Nga ana tjetër, avokati i tij tha se Meta ka kërkuar nga SPAK të bëhen hetimet të thelluara se kush i bëri kërkesat për lobim. Gjithashtu ai shtoi se gjatë komunikimit të akuzave nuk ka pasur tensione.

4 Gusht 2025, 14:34 Nga M.B
Metës iu komunikuan akuzat nga SPAK, avokati: Seanca ishte e qetë,
Ilir Meta

TIRANA- Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme për njohjen e akuzave të ngritura ndaj tij pas marrjes si i pandehur. Nga ana tjetër, avokati i tij tha se Meta ka kërkuar nga SPAK të bëhen hetimet të thelluara se kush i bëri kërkesat për lobim. Gjithashtu ai shtoi se gjatë komunikimit të akuzave nuk ka pasur tensione. Sipas tij, ish-Presidenti nuk ka pasuri të vendosur nga korrupsioni. Përfaqësuesi ligjor tha para gazetarëve se çështja do të shkojë me gjykim të zakonshëm sepse është një çështje e cila duhet sqaruar dhe të marrë fund.

“Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të akuzës se përse nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush ka bërë kërkesat për lobimin. Seanca ishte e qetë. Ne duam të dimë kush i bëri pagesat dhe kush i mori faturat. Sa i përket CEZ-DIA është një akuzë e rënë sepse nuk vërtetohet në asnjë moment që Meta të ketë të ardhura dhe këto pasuri t’i ketë mundur ti fshehë dhe ti pastrojë me veprime të paligjshme. Ish-Presidenti nuk ka pasuri të vendosur nga korrupsioni. Mali i madh i akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës, sot ka rezultuar zero. Do të shkojmë me gjykim normal të zakonshëm sepse është një çështje e cila duhet sqaruar dhe marrë fund”, tha avokati.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, Kryemadhi u hetua për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

ilir meta

Sondazh

Poll