Politike

"Ka një fraksion tjetër hetimor për Erion Veliajn", Dumani: Po hetohen disa fakte penale

Për shtatë pyetjet që Veliaj i drejtoi publikisht, kreu i SPAK është shprehur nuk i përgjigjet të pandehurve.

31 Korrik 2025, 11:51 Nga r.ll
"Ka një fraksion tjetër hetimor për Erion Veliajn",
altin dumani

TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur nga gazetarët në takimin me dyer të mbyllura lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajn.  Dumani ka bërë me dije se dosja në ngarkim të Veliajt është ndarë në një fraksion tjetër. Ai shtoi se po hetohen disa fakte penale. 

"Ka një fraksion tjetër hetimor për Erion Veliajn. Po hetohen disa fakte penale", është shprehur Dumani. Ndërkohë për shtatë pyetjet që Veliaj i drejtoi publikisht, kreu i SPAK është shprehur nuk i përgjigjet të pandehurve.

"Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatet, kjo është forma proceduriale.", tha Dumani. 

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

altin dumani

Sondazh

Poll