Politike

"Autoritetet shqiptare ta marrin seriozisht çështjen"/ BE e konfirmon: Fondet e IPARD III do mbeten të bllokuara

Komisioni Evropian ka theksuar se kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

30 Korrik 2025, 22:16 Nga E. D
"Autoritetet shqiptare ta marrin seriozisht çështjen"/ BE
BE

BRUKSEL- Bashkimi Evropian ka konfirmuar ditën e sotme se fondet e IPARD për bujqësinë do të mbeten të bllokuara për Shqipërinë derisa të garantohet mbrojtja e tyre. I pyetur nga Report TV, një zyrtar i Komisionit Evropian, ka deklaruar se nëse Shqipëria nuk garanton fondet e taksapaguesve të BE, financimi për bujqësinë nuk do të hapet.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigje.

Komisioni Evropian ka theksuar se kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së. KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.

"Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur.

Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Evropian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.

be

Sondazh

Poll