Politike

Avokatët e Erion Veliajt: Një procedim penal po shndërrohet në gjyq publik përmes shkeljeve të ligjit, janë zbuluar sekrete hetimore

Ata shprehen se dështimi i prokurorisë është i pakundërshtueshëm, pasi shtojnë jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.

29 Korrik 2025, 12:01 Nga r.ll
Avokatët e Erion Veliajt: Një procedim penal po shndërrohet
erion veliaj

TIRANË- Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj përmes një reagimi kanë shprehur shqetësimin për përpjekjet e përsëritura për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik. Sipas tyre, kjo po bëhet përmes "mediave të lidhura me SPAK" dhe shkeljeve ligjore duke zbuluar sekrete hetimore.

Më tej në reagim thuhet se drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj mediash ose rrjetesh sociale. Ata shprehen se dështimi i prokurorisë është i pakundërshtueshëm, pasi shtojnë jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.

Avokatët theksojnë se Veliaj është zgjedhur nga 160 mijë votues për të drejtuar bashkinë e Tiranes dhe ende "vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie".

REAGIMI I PLOTË: 

Ne, avokatët mbrojtës të z. Erion Veliaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përpjekjet e përsëritura, për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik spektakolar përmes përdorimit të mediave të lidhura me SPAK dhe shkeljeve flagrante të ligjit, siç është zbulimi i paligjshëm i sekretit hetimor. Artikujt me porosi, të paraqitur si “zbulime ekskluzive”, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të gatshme publike përpara se çështja të provohet me fakte në një sallë gjyqi.

Këto ditë, detaje të tjera u nxorën në media, përfshirë edhe lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve. Në një shtet demokratik dhe evropian, drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj gazetash, rrjete sociale apo “seriale kriminale” të prodhuara nga media të kontrolluara përmes rrjedhjeve anonime dhe të paligjshme. Edhe më shqetësuese është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake, e cila është nën mbrojtjen e detyrueshme të organit që e administron, prokurorisë. Pikërisht këtu dështimi është i pakundërshtueshëm: jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.

Ne po dokumentojmë çdo akt që jo vetëm shtrembëron këtë procedim penal, por që gjithashtu cenon rëndë rendin kushtetues dhe standardet evropiane të drejtësisë mbi të cilat mbështetet rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje përfaqëson një regres të dallueshëm dhe të dëshpëruar drejt një epoke parademokratike.

Z. Veliaj është Kryetari legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës, i votuar nga mbi 160,000 qytetarë. Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie. Ne jemi të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë, një ndjekje penale që ka kthyer mbrapsht në mënyrë thelbësore përparimin e Shqipërisë drejt përputhjes me standardet evropiane të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, duke u mohuar njëkohësisht qytetarëve të Tiranës shërbimin e Kryetarit të tyre dhe duke shkaktuar dëm të madh për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Erion Veliaj dhe SPAK 

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

erion veliaj spak

Sondazh

Poll