Aktualitet

Vatra e zjarrit në Delvinë po përhapet, dy helikopterë ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve

Era e fortë që fryn po favorizon përhapjen e flakëve që tashmë kanë përfshirë disa plantacione me drurë frutorë dhe janë duke iu afruar rrezikshëm masiveve me ullinj në afërsi të fshatit Fushë-Vërri.

24 Korrik 2025, 16:53 Nga r.ll
Vatra e zjarrit në Delvinë po përhapet, dy helikopterë
zjarri

DELVINË- Zjarri në Delvinë vijon aktiv prej disa orësh, ndërsa ka shkrumbuar sipërfaqe të gjera me kullota në zonën e luginës së Kalasës.

Sipas raportimeve, era e fortë që fryn po favorizon përhapjen e flakëve që tashmë kanë përfshirë disa plantacione me drurë frutorë dhe janë duke iu afruar rrezikshëm masiveve me ullinj në afërsi të fshatit Fushë-Vërri. Një nga drejtimet e përhapjes së zjarrit është faqja e malit të Gjerë, drejt qafës së Skërficës, pranë rrugës nacionale Kardhiq–Delvinë, ndërsa një tjetër krah i flakëve po avancon drejt jugut. 

Ndërhyrja e zjarrfikësve nga toka është e vështirë për shkak të terrenit kodrinor dhe malor, dhe për këtë arsye dy helikopterë po punojnë për fikjen e zjarrit nga ajri. 

Dhjetëra forca zjarrfikëse janë në terren, dhe gjithashtu është kërkuar edhe ndihma e banorëve të fshatrave Kalasë, Tatzat, Fushë-Vërri dhe Vanë për vënien nën kontroll të situatës. Dyshohet se zjarri është ndezur qëllimisht ndërsa po zhvillohen hetime lidhur më këtë.

zjarr ne delvine

Sondazh

Poll