Politike

I dënuar me 3 vite e një muaj burg, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për Jorgo Goron: Të konfiskohet edhe apartamenti

Kështu, Apelit i GJKKO-së ka rrëzuar ankimim e Goros, dhe dy ish-drejtorëve, Jerasimo Basho dhe Vezir Gjikokaj, duke lënë në fuqi edhe dënimin e dhënë për këta të fundit.

22 Korrik 2025, 13:14 Nga M.B
I dënuar me 3 vite e një muaj burg, Apeli i GJKKO-së lë
Jorgo Goro

TIRANA- Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, për dënimin me 3 vite e një muaj burg. Kështu, Apelit i GJKKO-së ka rrëzuar ankimim e Goros, dhe dy ish-drejtorëve, Jerasimo Basho dhe Vezir Gjikokaj, duke lënë në fuqi edhe dënimin e dhënë për këta të fundit. Sipas njoftimit, kjo shkallë e drejtësisë ka kërkuar edhe konfiskimin e një apartamenti.

Njoftimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare),  më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 03.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ankimet e paraqitura nga të pandehurit J.G., V.Gj. dhe J.B, ndaj vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: 

1 – Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë  për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:

Urdhërohet konfiskimi i pasurisë së mëposhtme:

– Apartament i regjistruar me nr. pasurie ***, volumi ***, faqe ***, zona kadastrale ***, me sipërfaqe 81,41 (tetëdhjetë e një presje dyzet e një) m2, ndodhur në ***, së bashku me sendin sekuestruar shtetasit E.V. me procesverbalin e sekuestrimit datë 03.07.2024, çelës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “***”, me kod “***”.

2 – Mospranimin e ankimit të ankuesit Shoqëria “***” shpk, kundër vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3 – Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

U shpall në Tiranë, sot me datë 22.07.2025.

Jorgo Goro

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke, që gjendet në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, të cilën Gjykata e Posaçme e ka nën sekuestro. Këto sipërfaqe prej rreth 10 mijë metra katror janë sekuestruar nga SPAK dhe si përfitues fundor kishin ish-deputetin Artan Gaçi.

Goro u arrestua në mars të vitit të kaluar, pas kallëzimit te depozituar nga Fredi Beleri. Për të njëjtën çështje, do të gjykohet edhe ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ si dhe ish-juristi Vezir Gjikoka që ka masën ‘arrest në shtëpi’.

jorgo goro

Sondazh

Poll