Sport

FIFPRO sulmon FIFA-n: "Infantino mendon se ai është Zot, vetëm bukë dhe cirk"...

Prapa skenave, realiteti për shumë futbollistë mbetet ai i pagave të papaguara, punësimit të pasigurt dhe mungesës së kujdesit shëndetësor.

14 Korrik 2025, 11:30 Nga DOSJA

FIFPRO sulmon FIFA-n: "Infantino mendon se ai është Zot,

SHBA - Presidenti i FIFPRO-s, Sergio Marchi, argjentinas, nisi një sulm të ashpër ndaj kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, në një deklaratë të lëshuar vetëm disa orë para finales së Kupës së Botës për Klube midis Chelseat dhe PSG-së.

Sindikata botërore e futbollistëve akuzon FIFA-n për "organizimin e turneve pa dialog, në një mënyrë autoritare dhe vetëm për fitim".

Marchi, drejtori i parë jo-evropian që drejton FIFPRO-n, nuk i kurseu fjalët: "Infantino po sillet si një njeri që mendon se është Zot. Ky kompeticion fsheh një shkëputje të rrezikshme nga realiteti i përditshëm i futbollistëve në të gjithë botën".

Përveç orarit të mbingarkuar - tashmë të kontestuar nga shumë yje evropianë - u kritikuan edhe kushtet ekstreme të motit, në të cilat u luajtën disa ndeshje: "Lojërat u zhvilluan në temperatura të papranueshme, duke vënë në rrezik shëndetin e lojtarëve. Ky është një incident serioz që nuk mund të përsëritet në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm".

Sipas FIFPRO-s, ngjarja është shndërruar në një "spektakël madhështor të denjë për ‘panem et circenses’ të Romës së lashtë", ndërsa prapa skenave, realiteti për shumë futbollistë mbetet ai i pagave të papaguara, punësimit të pasigurt dhe mungesës së kujdesit shëndetësor.

"FIFA vazhdon të rrisë fitimet e saj, por në kurriz të atyre që luajnë. Nuk ka argëtim të mundur nëse zërat e protagonistëve heshtin. Është koha që futbollistët të vendosen vërtet në qendër të lojës", përfundon deklarata.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll