Sport

Nasser Al-Khelaifi mbron trajnerin Luis Enriquen për incidentin me Joao Pedron…

"Ne kemi trajnerin më të disiplinuar dhe më të respektuar në botë", tha Al-Khelaifi në zonën e përzier në stadiumin MetLife

14 Korrik 2025, 09:00 Nga DOSJA

Nasser Al-Khelaifi mbron trajnerin Luis Enriquen për incidentin me Joao

SHBA - Presidenti i Paris Saint-Germain (PSG), Nasser Al-Khelaifi, ka mbrojtur trajnerin e tij, Luis Enrique, pasi ai u përfshi në një incident me sulmuesin brazilian Joao Pedro në fund të finales së Kupës së Botës për Klube, të cilën e humbën 3-0 ndaj Chelseat.

Pasi fishkëllima e fundit e ndeshjes u dëgjua, teksa në shtesë pati disa ndërhyrje të ashpra, shpërtheu një përleshje në mesfushë, ku u përfshi edhe Luis Enrique. Trajneri spanjol nxitoi në një zone, ku Achraf Hakimi dhe Gianluigi Donnarumma po debatonin me Joao Pedron, i cili ra në bar pasi pësoi një goditje.

Luis Enrique e goditi brazilianin, fillimisht në gjoks dhe më pas në fytyrë. Incidenti shkaktoi disa minuta diskutime midis dy ekipeve përpara se situata të qetësohej.

"Ne kemi trajnerin më të disiplinuar dhe më të respektuar në botë", tha Al-Khelaifi në zonën e përzier në stadiumin MetLife, në një gjest të pazakontë nga zyrtarët, pasi është një hapësirë e rezervuar kryesisht për lojtarët pas një ndeshjeje. Ai shtoi: "Ai shkoi ta ndërpresë sherrin dhe u përfshi në të. Trajnerët meritojnë respekt."

I njëjti version u përdor nga vetë Luis Enrique pas ndeshjes, duke pretenduar se qëllimi i tij ishte të "ndante lojtarët" dhe të parandalonte përshkallëzimin e përleshjes.

"Në fund të ndeshjes, pati një situatë që besoj se ishte plotësisht e shmangshme, nga ana e të gjithëve. Qëllimi im, si gjithmonë, ishte të përpiqesha t'i ndaja lojtarët në mënyrë që të mos kishte më probleme", deklaroi trajneri asturian në një konferencë për shtyp. 

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll