Aktualitet

Parandalohet ngjarja kriminale në Librazhd, 4 vëllezër zihen me 5 persona të tjerë

Policia ka mundur që të arrestojë dy nga vëllezërit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim 2 vëllezërit e tjerë.

10 Korrik 2025, 13:57 Nga I.A
Parandalohet ngjarja kriminale në Librazhd, 4 vëllezër zihen me 5
Policia

LIBRAZHD- Një ngjarje kriminale është parandaluar në Librazhd. Mësohet se 4 vëllezër janë konflikuar me 5 persona të tjerë në një lokal. Në sherr 4 vëllezërit kanë dhunuar me sende të forta 5 personat e tjerë që ndodheshin në lokal. 

Policia ka mundur që të arrestojë dy nga vëllezërit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim 2 vëllezërit e tjerë. Të plagosurit ndodhen në spital për të marrë mjekim dhe jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu nga policia është proceduar penalisht dhe kamarierja e lokalit për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Njoftimi i Policisë:

Librazhd Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet 4 vëllezërve dhe 5 shtetasve të tjerë. Vihen në pranga 2 nga vëllezërit dhe punohet për kapjen e 2 të tjerëve, pasi në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, goditën me grushte dhe me sende të forta, 5 shtetas.

Procedohet penalisht kamerierja e lokalit, pasi dyshohet se ka prishur provat në vendngjarje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, dje, pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në fshatin Dragostunjë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan shtetasit e përfshirë në konflikt dhe në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd: -arrestuan në flagrancë shtetasit I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç (vëllezër), për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", kryer në bashkëpunim dhe "Prishja e qetësisë publike"; -shpallën në kërkim shtetasit V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç (vëllezër të shtetasve të arrestuar); -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. G., 50 vjeçe (kameriere), për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Nga hetimet dyshohet se më datë 09.07.2025, në ambientet e një lokali, në fshatin Dragostunjë, shtetasit I. Xh., A. Xh., V. Xh. dhe K. Xh. kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim.  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

policia e librazhdit

Sondazh

Poll