Politike

"Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi"/ Manja: SPAK arritja më e prekshme e reformës...

Gjatë fjalës së tij Manja tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

8 Korrik 2025, 11:19 Nga E. D
"Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja duke folur në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”, vlerësoi reformën në drejtësi. Gjatë fjalës së tij Manja tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

Sipas tij, pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetëreferencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit. Gjithashtu ai theksoi se reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv.

Fjala e plotë: 

Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK.

Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.

Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.

Roli i ekzekutivit në raport me SPAK parashikon aspekte administrative, strategjike dhe mbështetëse, të cilat synojnë të garantojnë funksionimin efektiv të këtij institucioni por ndikuar apo cenuar pavarësinë e tij funksionale dhe vendimmarrëse. Ky rol shtrihet në fusha të tilla si garantimi i sigurisë fizike dhe personale të prokurorëve dhe ambienteve institucionale, planifikimi dhe mbështetja financiare, ofrimi i rekomandimeve strategjike për orientimin e politikës penale, si dhe ndërveprimi institucional përmes Ministrisë së Drejtësisë si një hallkë lidhëse me Këshillin e Ministrave. 

Në tërësi, roli i ekzekutivit ndaj SPAK është i konceptuar si një ndërveprim i kontrolluar institucional, që ndërton një mekanizëm mbështetës pa cënuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucionit, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe garantuar zbatimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë penale.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj.

ulsi manja

Sondazh

Poll