Politike

Shqipëria aksionere në resortin e Sazanit/ Kompania që do të përfaqësojë shtetin në investimin e Jared Kushner regjistrohet në QKB

Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e investimeve.

27 Qershor 2025, 13:14 Nga I.A
Shqipëria aksionere në resortin e Sazanit/ Kompania që do të
Donald Trump, Jared Kushner dhe Edi Rama

TIRANË- Shqipëria do të jetë aksionere në resortin luksoz që do të ndërtojë dhëndëri i Trump, Jared Kushner në Sazan. Kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë investim është krijuar dhe ditën e djeshme është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

E krijuar më 9 qershor të këtij viti dhe me emrin 'Albanian State Develompent & Real Estate', kjo kompani ka aksioner të vetëm Korporatën e Investimeve Shqiptare. Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e investimeve.

Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Krijimi i shoqërisë do të përfaqësojë shtetin në projektin me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, që synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.

“Monitorimi i kontratave te lidhura mes AIC dhe palëve të treta në fushën e zhvillimit, menaxhimit dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC. Investimi, menaxhimi apo përfitimi i të drejtave nga zhvillimi i pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të shoqërisë, si dhe ushtrimi i të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me ose plotësojnë, direkt apo indirekt, aktivitetin e mësipërm lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC. Bashkëpunimi me shoqëri, ndërmarrje, agjenci dhe sipërmarrje të tjera, të cilat mund të kenë një objekt aktiviteti të ngjashëm”, thuhet në dokument.

Në Sazan do të ndërtohet një strukturë luksoze me vila të përshtatura në shkëmbin që shtrihet drejt detit. Prej ditësh mediat e huaja e kanë risjellë në vëmendjen këtë projekt të Kushner-Trump duke shkruar se në këtë cep të vogël të Mesdheut, do të ketë një oaz të vogël komod me rezidenca të ofruara për klientët milionerë të gatshëm të shpenzojnë shuma të konsiderueshme për t'u zhytur në një mjedis të lë pa frymë. 

Ishulli i Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Por me një dekret të firmosur në fillim të muajit dhjetor, nga Presidenti Bajram Begaj, struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, e cila duket se përkon me zonën ku synohet të realizohet projekti, është nxjerrë jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura.

Sipas vendimit, vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliard euro. Projekti, i cili parashikon “marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre” do të shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.

Sipas një interviste që Kushner pati dhënë në mars të vitit të kaluar për Bloomberg, synimi ishte ndërtimi i një eko-resorti luksoz të markës Aman. Ai deklaroi në atë kohë se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.

Kompanisë së Kushner, i është statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” duke e konsideruar projektin të “një rëndësie strategjike për vendin”. Por sipas vendimit, ky status, që jepet për një periudhë 10 vjeçare është “i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme”.

jared kushner edi rama

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll