Politike

Diskutohet në Asamblenë Parlamentare të KE raporti për "11 majin"/ Eurodeputetët: Kandidatët nuk garuan në kushte të barabarta! Partia qeverisëse përdori burimet shtetërore gjatë fushatës

Gjatë seancës anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kanë denoncuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit.

23 Qershor 2025, 17:18 Nga r.ll

Diskutohet në Asamblenë Parlamentare të KE raporti për

STRASBURG- Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ka diskutuar sot në Strasburg lidhur me raportin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri. Gjatë seancës anëtarët e Këshillit të Europës, kanë denoncuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit. Eurodeputetja Maria Luz Martinez, ishte ajo që lexoi raportin e Asamblesë Parlamentare të KE, ku u shpreh se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar dhe se kandidatët nuk kishin kushte të barabarta loje. 

"Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë politike shumë të polarizuar, ku kandidatët nuk garuan në kushte të barabarta. U vërejt se partia në pushtet bëri përdorim të gjerë të burimeve administrative, gjë që mund t’i ketë dhënë një avantazh. U raportuan gjithashtu presione ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike. Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë megjithëse u vërejtën mangësi në zbatimin e procedurave në disa qendra votimi. U regjistruan gjithashtu disa incidente si frikësime, ndërhyrje nga vëzhgues patronazhistë dhe shkelje të fshehtësisë së votës.", u shpreh Maria Luz Martinez.

Në seancë, përfaqësuesi i Partisë Popullore Evropiane, Christophe Brico u shpreh se zgjedhjet janë themeli i demokracisë dhe se duhet të jenë të lira dhe të drejta. Ai u shpreh se do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri.

"Raporti mbi zgjedhjet në Shqipëri përmend se, në përgjithësi, gjërat kanë shkuar mirë. Por nëse e dëgjon znj. raportuese deri në fund, dëgjon fjalë si presion, krim i organizuar, blerje votash dhe një sërë gjërash të tjera që janë të dëmshme për një proces zgjedhor funksional. Zgjedhjet këto janë themeli i demokracisë. Zgjedhje të lira dhe të drejta. Do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet. Megjithatë, i bëjmë thirrje që raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të jenë më rigoroze në evidentimin dhe trajtimin e parregullsive dhe devijimeve, veçanërisht në një sistem që shfaq shenja të shqetësimit të vazhdueshëm.", u shpreh Brico. 

I dërguari i Norvegjisë Jone Blikra, gjatë fjalës së tij tha se një shqetësim tjetër në zhvillimin e zgjedhjeve ishte fakti që partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore gjatë fushatës. 

"Një nga përfundimet kryesore të raportit është se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar, dhe kandidatët nuk patën kushte të barabarta gare. Mbetet një shqetësim i madh fakti që partia në pushtet përfitoi dukshëm nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore gjatë fushatës. Prandaj, është i nevojshëm përparimi në kulturën politike në kuptimin më të gjerë, për të forcuar besimin e publikut dhe për të siguruar që qeverisja e mirë të shtrihet në të gjitha nivelet e shoqërisë  gjë që fillon me zgjedhje që përputhen plotësisht me standardet evropiane." tha Blikra.

Në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës theksohet se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe se kandidatë nuk gëzonin kushte të barabarta gare. Gjithashtu thuhet se Partia Socialiste e cila është në qeverisje ka përfituar përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, ndërsa nuk kanë munguar akuzat e shumta për presion mbi votuesit. Lidhur me ditën e zgjedhjeve, në raport përmendet se pati një mungesë të respektimit të procedurave, dhe 11 maji u shoqërua një numër incidentesh presioni ndaj votuesve dhe disa mangësi transparence në numërimin e votave.

Më tej, theksohet se shumica e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR, duke përfshirë ato që lidhen me përbërjen e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatave, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe dispozitat për të siguruar një mjedis të favorshëm mediatik nuk janë trajtuar ende. Sipas raportit, mjedisi mediatik mbeti shumë i kufizuar, me pavarësinë, diversitetin dhe integritetin e përmbajtjes së lajmeve të dëmtuar nga financimi jotransparent, pronësia e përqendruar, ndërhyrja në autonominë editoriale dhe ndikimi politik. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ju ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të demonstrojnë vullnet të fortë dhe të sinqertë politik për të adresuar mangësitë e identifikuara gjatë procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Sipas Asamblesë kjo është thelbësore për të siguruar përputhshmërinë me standardet evropiane në proceset zgjedhore.

Konkretisht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë masat e mëposhtme dhe: 

- të trajtojë rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe OSBE/ODIHR-it në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të rishikojë rregullat e financimit të fushatave në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO);

- të depolitizohet administrata zgjedhore, veçanërisht në nivele më të ulëta, për të parandaluar shkarkimin e shpeshtë, në minutën e fundit dhe diskrecionar të të emëruarve nga partitë politike, të sigurohet kohë e mjaftueshme për trajnim dhe përgatitje dhe të forcohet profesionalizmi i zyrtarëve zgjedhorë në ditën e zgjedhjeve për një besim më të madh në procesin zgjedhor;

- të ndërmarrin veprime të vendosura për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor, në veçanti të miratojnë masa për të parandaluar blerjen e votave, presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe privat, ndikimin e padrejtë mbi votuesit e margjinalizuar, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe abuzimin e burimeve shtetërore nga partitë në pushtet gjatë fushatave zgjedhore dhe ndikimin e supozuar të elementëve kriminalë, si dhe rrezikun e infiltrimit të tyre në procesin zgjedhor;

- të ndërmarrin veprime për të ndarë qartë partinë në pushtet nga shteti;

- të forcojë kapacitetin e SPAK-ut për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë në kontekstin e zgjedhjeve;

- të kryejë një vlerësim të duhur të votimit jashtë vendit, i cili u prezantua për herë të parë, dhe të identifikojë fushat për përmirësim.

asambleja parlamentare e ke

Sondazh

Poll