18 Qershor 2025, 17:55
Nga E. D
Oerd Bylykbashi
STRASBURG- Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi duke folur në Komisionin e Stabilizim-Asocimiit në Strasburg tha se Shqipëria sapo ka dalë nga një proces zgjedhor i cili do të mbahet mend si një nga ato që e ka kthyer vendin pas më shumë se 20 vjet në standardet zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se ODIHR konfirmon abuzimin e qeverisë me pushtetin. Sipas tij votimi i diasporës ishte një zhvillim pozitiv në dukje, por u shoqërua me mashtrime masive, sidomos në dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit. Ndër të tjera Bylykbashi theksoi se nuk ka kapituj pa zgjedhje të ndershme dhe drejtësi.
Fjala e plotë e Oerd Bylykbashit:
Të nderuar kolegë, të nderuar pjesëmarrës në këtë takim të rëndësishëm.
Po, sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor i cili do të mbahet mend si një nga ato që e ka kthyer Shqipërinë pas më shumë se 20 vjet në standardet zgjedhore. Është hera e parë që raporti i auditit hapet në fjali të parë me konstatimin se nuk ka pasur një fushë loje të barabartë. Dhe kjo thotë shumë, sepse përmbledh një sërë angazhimesh të tjera që vijnë nga standardet e OECD-së apo të Këshillit të Europës.
Në paragrafin e parë të deklaratës paraprake, jo ende në raportin përfundimtar, ODIHR thekson se qeveria ka përfituar nga pozita e saj si mazhorancë gjatë garës zgjedhore. Pra, në teori ka pasur garë, por garuesit nuk janë lejuar të garojnë në të njëjtat kushte, në të njëjtat pista dhe me të njëjtën liri. Mendoj se të gjithë do të duhet të presim edhe pak për të kuptuar më shumë. Ne si opozitë, këtë e dimë. Po e provojmë çdo ditë. Po sjellim prova të reja që shkojnë edhe më tej se sa çfarë ka raportuar ODIHR deri më tani.
ODIHR nuk po thotë që ka pretendime për mungesë barazie në garë. Po jep përfundime. Nuk po thotë që ka pretendime për përfitim nga pushteti. Po jep përfundime. Kështu që, për raportin përfundimtar, duhet të presim për të parë se çfarë tjetër do të dalë në dritë.
Tani është në proces një ankimim i plotë me prova të forta për shkelje serioze të standardeve themelore të zgjedhjeve. Përfshirë shkeljen e fshehtësisë së votës, manipulimin e kutive të votimit, manipulimin e fletëve të votimit, mbushjen e kutive, votimin familjar dhe shumë shkelje të tjera që tregojnë qartë se janë shkelur angazhimet bazë.
Votimi i diasporës ishte një zhvillim pozitiv në dukje, por u shoqërua me mashtrime masive, sidomos në dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit. Shumë votues, për fat të keq, nuk e morën kurrë fletën e votimit, ose nuk e morën vesh se kush kishte votuar në emër të tyre.
Tani dua të ndalem në diçka të rëndësishme. Reforma e fundit zgjedhore që kemi bërë me konsensus ka qenë në vitin 2012, kur Partia Demokratike ishte në qeveri. Që nga ajo kohë nuk ka pasur më reforma me konsensus. Ka pasur tentativa, por janë shkelur më pas, kështu që nuk ka pasur konsensus real.
Kjo flet shumë për frymën me të cilën kjo qeveri po i trajton çështje kaq të rëndësishme. Reformat e rëndësishme duhen bërë me konsensus, sepse qëllimi ynë është i përbashkët: të kemi një vend që është i denjë për Bashkimin Europian, por më e rëndësishme, i denjë për qytetarët e vet në aspektin e demokracisë.
Kemi dhjetëra rekomandime ndër vite që nuk janë zbatuar, madje as nuk janë trajtuar. Dhe nga ana tjetër flitet për sa është “kampione” Shqipëria në letra.
Kështu që, për mua, pyetja është: Çfarë mekanizmi do të arrijmë të vendosim së bashku për të siguruar që procesi i integrimit europian – përfshirë hapjen e kapitujve, të jetë i ndërlidhur me zhvillimet reale në vend, përfshirë demokracinë, zgjedhjet, të drejtat e njeriut? Që progresi në letra të reflektojë edhe zhvillimin real të vendit, jo të jenë dy gjëra të ndara.
A do të arrijmë t’i bashkojmë këto gjëra apo do të vazhdojmë në dy rrugë të ndara, një realitet në vend dhe një tjetër në letër?
Faleminderit.
oerd bylykbashi
Politike
18 Qershor 2025, 17:51
M.B
Gazment Bardhi
STRASBURG- Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka marrë pjesë në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar t&...
Politike
18 Qershor 2025, 17:20
M.B
Sigrid Brettel
STRASBURG- Përfaqësuesja e Komisionit Europian në mbledhjen e Komisionit të Stabilizim-Asociimit në Stras...
Politike
18 Qershor 2025, 17:12
M.B
Belinda Balluku
TIRANA- Shqipëria renditet në vend të parë sa i takon qëndrueshmërisë në sektorin energjetik. ...
Politike
18 Qershor 2025, 16:38
E. D
Taulant Balla
STRASBURG- Ministri Taulant Balla, ka mbajtur fjalën e tij në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të ...
Politike
18 Qershor 2025, 16:41
M.B
Gazment Bardhi
STRASBURG- Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka marrë pjesë në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar t&...
Politike
18 Qershor 2025, 16:37
M.B
Jorida Tabaku
STRASBURG- Deputejta demokrate Jorida Tabaku ka marrë pjesë në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar...
Politike
18 Qershor 2025, 16:32
E. D
Shefja e Divizionit
STRASBURG- Suzana Melkalkova, Shefja e Divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin e veprimit të jas...
Politike
18 Qershor 2025, 15:16
M.B
Foto ilustruese
TIRANA- Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin zgjedhor në qarkun e Korç...
Politike
18 Qershor 2025, 14:02
r.ll
belind kellici
TIRANË- Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, po ndjek nga afër procesin e rinumërimit...
Politike
18 Qershor 2025, 13:52
N.F
Kupchan
KOSOVË- Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, thotë se deklarata e fundit e pres...