Aktualitet

FOTO/ Pulla të reja postare në Kosovë, paraqiten 4 shpella të njohura të vendit: Synim promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik.

18 Qershor 2025, 10:43 Nga N.F
FOTO/ Pulla të reja postare në Kosovë, paraqiten 4 shpella
Pulla postare

KOSOVË- Posta e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se në janë krijuar pulla postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit. Mësohet se në këto pulla të reja do të paraqiten Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

"Posta e Kosovës synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë”, thuhet në njoftim.

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët.

Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve.

Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj.

pulla postare

Sondazh

Poll