Aktualitet

Kritika për KLP dhe KLGJ/ Raporti i KE: Në Magjistraturë japin mësim të larguarit nga Vettingu

Në raportin e fundit “Non-paper” të siguruar nga Dosja.al, ngrihet shqetësimi se në Shkollën e Magjistraturës ka pedagogë që janë të larguar për shkak të Vettingut. 

16 Qershor 2025, 22:19 Nga I.A
Kritika për KLP dhe KLGJ/ Raporti i KE: Në Magjistraturë japin
Komisioni Evropian

TIRANË- Komisioni Evropian ka bërë disa kritika ndaj KLP-së dhe KLGJ-së në vendin tonë. Në raportin e fundit “Non-paper” të siguruar nga Dosja.al, ngrihet shqetësimi se në Shkollën e Magjistraturës ka pedagogë që janë të larguar për shkak të Vettingut. 

"Fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës," thuhet në raport. 

Komisioni Europian ka theksuar se shqetësese janë dhe emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët zgjidhen nga parlamenti.

"Duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme për të forcuar cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë dhe
pavarësisë, veçanërisht në lidhje me vlerësimet profesionale në kohë dhe cilësore, emërimet, ngritjet në detyrë dhe transferimet e magjistratëve, emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, aksesin në drejtësi, një sistem modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve, trajnimin gjyqësor, burimet njerëzore dhe financiare, qëndrueshmërinë dhe arsyetimin e jurisprudencës, kohëzgjatjen e procedurave dhe grumbullimin e çështjeve të prapambetura,"
thuhet në raport.

Në raportin e KE-së vihet në dukje se mangësitë vazhdojnë në praktikë dhe në kuadrin ligjor për procedurën e emërimit të anëtarëve jo-magjistratë në KLGJ dhe KLP. Sipas raportit këta anëtarë nuk i nënshtrohen të njëjtave standarde për kontrollin e të kaluarës dhe deklarimin e pasurisë si anëtarët magjistratë, gjë që ndikon në transparencën dhe meritokracinë e procesit.

"Gjatë procesit të vlerësimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLGJ), Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konflikteve të Interesit, duhet të përditësojnë procedurat e tyre të brendshme dhe të sigurohen që kanë staf dhe burime të mjaftueshme për të vazhduar kryerjen e kontrolleve të integritetit dhe aftësisë në përputhje me standardet e verifikimit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) është funksional, por ende ka sfida me numrin e lartë të vendeve të lira të punës për magjistratë-inspektorë, gjë që ndikon në funksionimin e tij efektiv. KLGJ përpunoi katër kërkesa për procedura disiplinore gjatë korrikut-dhjetorit 2024. Ndryshimet ligjore mbeten të nevojshme për të rritur atraktivitetin e pozicionit për magjistratë-inspektorë. Procedura e rekrutimit është duke vazhduar për përzgjedhjen e katër inspektorëve jo-magjistratë. KLGJ dhe KLP ende duhet të forcojnë transparencën e promovimeve dhe transferimeve. Ndarja rastësore e çështjeve duhet të sigurohet plotësisht në praktikë në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë," thuhet në raport.

raporti i ke

Sondazh

Poll