Sport

Trajneri Sylvinho pas ndeshjes: “Futbolli nuk të fal!”

“Në letër mund të jemi favoritë, por në fushë nuk treguam aspak atë. Edhe po të ishim Brazili apo Gjermania, me këtë lojë nuk do ta arrinim kurrë objektivin. Duhet të rikthehemi më të uritur dhe më të përqendruar.”

11 Qershor 2025, 00:48 Nga DOSJA
Trajneri Sylvinho pas ndeshjes: “Futbolli nuk të fal!”

LETONI - Në një mbrëmje të ftohtë në Riga, ku shpresohej për një kthesë, Shqipëria doli me vetëm një pikë, ndërsa trajneri Sylvinho u shfaq i drejtpërdrejtë në analizën e tij pas barazimit 1-1 ndaj Letonisë.

“Futbolli nuk të fal,” – nis braziliani me një ton të matur, por të ngarkuar emocionalisht. “Në pjesën e parë e shpërdoruam lojën me qarkullim të gabuar, me vendime të nxituara dhe pa strukturë. Pjesa e dytë tregoi një fytyrë tjetër, por ishte vonë për të korrigjuar gjithçka.”

Sylvinho, që gjatë gjithë fushatës ka kërkuar përqendrim dhe disiplinë taktike, nuk e fsheh faktin që skuadra e tij nuk kishte qasjen e duhur: “Ky sport nuk njeh emra të mëdhenj nëse nuk i shoqëron me angazhim. Luajtëm me tre sulmues, por nuk fituam. Kjo nuk është çështje formacioni, por qëndrimi që lojtarët sjellin në fushë.”

Lodhja e disa lojtarëve u ndje, me trajnerin që shpjegoi edhe zëvendësimin e Laçit: “Ai ishte shumë i lodhur. Nuk mund të rrezikonim. E kuptova që duhej të bënim një ndërhyrje të shpejtë në mesfushë, por gjithsesi, 45 minutat e para ishin të humbura.”

I pyetur për objektivin e vendit të dytë në grup, Silvinho u tregua i sinqertë: “Në letër mund të jemi favoritë, por në fushë nuk treguam aspak atë. Edhe po të ishim Brazili apo Gjermania, me këtë lojë nuk do ta arrinim kurrë objektivin. Duhet të rikthehemi më të uritur dhe më të përqendruar.”

Për trajnerin e Shqipërisë, gjithçka nisi dhe mbaroi me qëndrimin në pjesën e parë: “Qasja ishte e gabuar që në start. E nisëm butë, pa intensitet. Mund të pësonim edhe më shumë dhe të ishim në disavantazh real. Ky barazim është një sinjal që na paralajmëron, nuk ka më vend për gabime.”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll