Sport

Armando Broja: “Nuk i kemi humbur shpresat, do të luftojmë deri në fund…!”

Sulmuesi i Chelsea-t mbetet gjithsesi optimist: “Shanset për vendin e dytë nuk kanë ikur. Është një grup i komplikuar, por ne do të luftojmë deri në fund. Duhet të jemi më konkretë në sulm dhe më të qartë në ndërtimin e aksioneve.”

11 Qershor 2025, 00:46 Nga DOSJA
Armando Broja: “Nuk i kemi humbur shpresat, do të luftojmë deri

LETONI - Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka analizuar me zhgënjim paraqitjen e ekipit pas barazimit 1-1 ndaj Letonisë, një rezultat që vështirëson rrugën drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026.

“Sot nuk funksionoi asgjë siç duhet. Nuk kishim ritëm në pjesën e parë, qarkullimi i topit ishte i ngadaltë dhe nuk ishim të rrezikshëm para porte. Strakosha na mbajti në lojë me pritjen e tij në penallti, por goli i Letonisë në fund të pjesës së parë na demoralizoi.”

Broja u ndal edhe te vështirësia për të depërtuar përballë një kundërshtari që u mbyll në mbrojtje: “Letonia kërkonte ta prishte lojën me ndërprerje dhe topa të gjatë. Kjo e bëri më të vështirë për ne. Kur nuk shënon shpejt, këto ndeshje bëhen të rënda psikologjikisht.”

Sa i takon zgjedhjeve, Broja theksoi se vendimet i takojnë trajnerit: “Çdo lojtar është gati për të luajtur, por kjo ishte një ndeshje që na konsumoi shumë fizikisht. Ndoshta pati edhe pak lodhje nga sfida e mëparshme. Sot nuk ishim në nivelin e duhur.”

Sulmuesi i Chelsea-t mbetet gjithsesi optimist: “Shanset për vendin e dytë nuk kanë ikur. Është një grup i komplikuar, por ne do të luftojmë deri në fund. Duhet të jemi më konkretë në sulm dhe më të qartë në ndërtimin e aksioneve.”

Në fund, Broja pranoi se pavarësisht përgatitjeve në stërvitje, loja reale kërkon më shumë vendosmëri: “Kemi punuar për disa skema ofensive, por nuk i zbatuam siç duhet në fushë. Duhet të krijojmë më shumë raste dhe të jemi më të rrezikshëm në zonë.”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll