Sport

Strakosha më optimist: “Asgjë nuk ka mbaruar!”

“Sigurisht që nuk ishte i lumtur. Kishim epërsinë dhe nuk ishim duke e menaxhuar si duhet. E pyeta edhe Bozhiqin për mendimin e tij gjatë ndeshjes, dhe më dha pikëpamjen e vet.”

11 Qershor 2025, 00:39 Nga DOSJA
Strakosha më optimist: “Asgjë nuk ka mbaruar!”

LETONI - Pas barazimit 1-1 ndaj Letonisë në transfertë, portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, u shfaq i sinqertë në analizën e tij pas ndeshjes, duke theksuar se skuadra duhet të kishte qenë më e përqendruar, sidomos në fazën mbrojtëse dhe në administrimin e lojës.

“Na mungoi goli i dytë,” – tha Strakosha për Supersport. “Kemi pasur vështirësi edhe në të kaluarën për ta mbyllur ndeshjen kur kemi qenë në avantazh. Duhet të jemi më të qartë dhe të menaxhojmë më mirë situatat, sidomos kur kemi topin.”

Portieri i Brentford foli edhe për momentet që i paraprinë golit të barazimit nga Letonia: “Duhej ta kishim mbajtur më shumë topin në pjesën e parë. Në vend që të qetësonim lojën, dhamë 4-5 goditje këndi për ta, që ishin të panevojshme. Pikërisht nga një prej tyre pësuam gol.”

I pyetur për atmosferën në dhomën e zhveshjes në pushim, Strakosha pranoi se trajneri Sylvinho nuk ishte i kënaqur: “Sigurisht që nuk ishte i lumtur. Kishim epërsinë dhe nuk ishim duke e menaxhuar si duhet. E pyeta edhe Bozhiqin për mendimin e tij gjatë ndeshjes, dhe më dha pikëpamjen e vet.”

Portieri kuqezi nuk e fshehu zhgënjimin për dy pikët e lëna në Riga, por theksoi se rruga drejt kualifikimit nuk ka përfunduar: “Asgjë nuk ka mbaruar. Sigurisht që duhej të merrnim fitoren sot, por tani na duhet të fokusohemi dhe të marrim pikët që na duhen në shtëpi, sërish ndaj Letonisë.” Ky barazim lë Shqipërinë në një pozitë ku nuk ka më vend për gabime, ndërsa Strakosha ngre alarmin për përqendrimin dhe menaxhimin e lojës në momentet kyçe.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll