Politike

Rebelimi nga qelia, TikTok-u si bunkeri i fundit politik i Erion Veliajt

Prej javësh, Erion Veliaj dërgon sinjale nga TikTok-u i tij zyrtar, në formën e trendeve. Por TikTok është i ndaluar të përdoret në Shqipëri. Këtë rregull e kanë përqafuar të gjithë pas shefit, Edi Rama, përveç Veliajt.

8 Qershor 2025, 16:28 Nga Dosja.al
Rebelimi nga qelia, TikTok-u si bunkeri i fundit politik i Erion Veliajt
Veliaj

TIRANË- Kryetari i arrestuar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, vazhdon aktivitetin e tij politik nga rrjetet sociale, edhe pse në Bashki janë bërë spastrime masive të stafit dhe njerëzve të tij. Por, nëse në vendimmarrje nuk ka më firmë, e njëjta gjë nuk ndodh me realitetin virtual të Veliajt, i njohur për dashurinë e tij me propagandën dhe shitjen e punëve që janë bërë gjatë 3 mandateve të tij si kryebashkiak.

Në Facebook, Veliaj ruan të njëjtën formë dhe përmbajtje si përpara se të arrestohej. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me adresën e tij zyrtare në TikTok.

 

Dosja.al e ka vëzhguar prej javësh llogarinë e Veliajt, nga ku së pari vihet re se ai nuk i është bindur urdhrit të shefit të tij, Edi Rama. Siç edhe dihet, TikTok është i kufizuar për t’u përdorur në Shqipëri. E vetmja mënyrë për ta aksesuar është përmes VPN. Të gjithë kolegët e tij në Partinë Socialiste, me gjasë, as nuk kanë guxuar të mendojnë për të postuar më në TikTok, derisa Edi Rama dhe qeveria të vendosin për ta rihapur. Por Veliajt, qartësisht, mendimi i Edi Ramës për të, nuk është më i njëjti.

Ai vazhdon të postojë përmes stafit të tij, sfida dhe kunja. Si për shembull, Veliaj poston një video të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe ironizon tradhtarin e njohur globalisht në TikTok, “Landon”, duke thënë se ai nuk është i mirëpritur në këtë stadium. Apo një tjetër, më e fundit, ku Veliaj thotë se: “Propaganda që nuk kam për të rënë pre, ‘urryesit’ dhe ‘futja në burg pa gjyq’.”

 

Videot ndërkohë kanë dhënë efektin e pritshëm, pasi audienca është angazhuar dhe komenton mbi këtë aktivitet të Veliajt.

Dosja.al u interesua pranë stafit që Veliaj bashkëpunoi gjatë kohës që ishte në detyrë. Ata pranojnë se postimet janë në llogarinë zyrtare të Veliajt, por nuk japin detaje nëse udhëzimi për të përdorur TikTok-un; që ndërkohë është i ndaluar është në dakordësi me Veliajn apo jo.
A është kjo nisja e një përplasjeje?

Në fakt, ajo që në pamje të parë duket si një “aktivizim propagandistik” nga rrjetet sociale, mund të lexohet si shenja e parë e një përplasjeje brenda Partisë Socialiste. Në kohën kur të gjithë i binden rregullit të padiskutueshëm të Ramës për të bojkotuar TikTok-un, Veliaj zgjedh ta përdorë pikërisht atë kanal edhe nga qelia.

 

Edhe përmbajtja ndërkohë nuk është rastësore. Përmes propagandës, Veliaj po përpiqet të tregojë se ai është ende i gjallë politikisht, pavarësisht se është i izoluar fizikisht dhe i lënë jashtë vendimmarrjes.

Dhe ndoshta ky është provokimi më i drejtëpërdrejt që i është bërë Ramës në këto muaj, duke mos harruar që PS është bunkerizuar dhe zërat kundër as nuk mendohen më e jo më të artikulohen publikisht./ Dosja.al

tiktok erion veliaj

Sondazh

Poll