Politike

Osmani fton në një takim partitë për dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë

Pavarësisht se data ende nuk është zyrtarizuar, raportohet se zgjedhjet për Komuna pritet të mbahen më 19 ose 26 tetor të këtij viti. Partitë politike kanë nisur tashmë përgatitjet dhe kanë filluar të konfirmojnë kandidatët e tyre për disa nga komunat më të mëdha dhe më strategjike në vend.

3 Qershor 2025, 11:21 Nga N.F
Osmani fton në një takim partitë për dekretimin e datës
Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur nesër një takim të rëndësishëm politik, ku do të diskutohet dhe pritet të merret vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina tha se pas konsultimeve presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjeherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, tha Kupina.

Pavarësisht se data ende nuk është zyrtarizuar, raportohet se zgjedhjet për Komuna pritet të mbahen më 19 ose 26 tetor të këtij viti. Partitë politike kanë nisur tashmë përgatitjet dhe kanë filluar të konfirmojnë kandidatët e tyre për disa nga komunat më të mëdha dhe më strategjike në vend.

Në Prishtinë, gara për kryetar komune pritet të jetë e ashpër, ku Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të rikandidojë me Perparim Ramën. Në Gjilan, gjithashtu pritet një garë interesante mes kandidatit të LDK-së, Arber Ismaili, dhe kandidatit aktual nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Alban Hyseni. Edhe në Podujevë, ku aktualisht udhëheq Shpejtim Bulliqi nga LVV, pritet një përballje me kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni.

Në Malishevë, Nisma Socialdemokrate do të garojë me Ekrem Kastratin, ndërsa në Deçan, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj, do të përballet me dy kundërshtarë: Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Shkumbin Demalijaj nga Iniciativa e Deçanit, një ish-deputet i AAK-së. Në Klinë, kryetari aktual Zenun Elezaj nga AAK do të kërkojë një tjetër mandat, ndërkohë që flitet se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të garojë me Sokol Bashotën.

Ndërsa për Mitrovicën dhe Ferizajn ende nuk janë konfirmuar emrat e kandidatëve, në disa komuna të tjera situata tashmë është më e qartë. Në Pejë, LDK-ja do të garojë me Gazmend Muhaxherin, ndërsa në Lipjan me Imri Ahmetin – dy kryetarë aktualë që kërkojnë edhe një mandat të ri.

osmani kosove

Sondazh

Poll