Aktualitet

Trafikuan armë nga Kosova në Shqipëri, Gjykata e Tiranës lë në burg 8 të arrestuarit

Bëhet me dije se para gjykatës, asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur ndërsa mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia i ka shtyrë individët në veprime të kundërligjshme.

1 Qershor 2025, 11:53 Nga M.B
Trafikuan armë nga Kosova në Shqipëri, Gjykata e Tiranës
Foto ilustruese

TIRANA- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për 8 të arrestuarit në kuadër të hetimeve për shitblerje armësh: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.

Bëhet me dije se para gjykatës, asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur ndërsa mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia i ka shtyrë individët në veprime të kundërligjshme. Gjithashtu avokatët kanë kërkuar prova dhe fakte konkrete për secilin nga të dyshuarit, lidhur me veprimet që ata pretendohet se kanë kryer.

Mësohet se ata i kanë kërkuar gjykatës që të cilësojë të paligjshëm arrestimin dhe të marrë parasysh faktin se të dyshuarit nuk kanë precedentë penalë të mëparshëm. Organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës akt-ekspertizat e kryera për armët e sekuestruara më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit.

Hetimet për këtë operacion janë shtrirë në harkun kohor të 5-muajve, ku u vërtetua se të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.

Gjatë operacionit u sekuestruan 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë. Një pjesë e armeve që merrenin nga Kosova, kalonin në kufi kalonin me makina të vogla.

Mësohet se çmimet e pistoletave që shisnin varionin nga 1500 deri në 2500 euro dhe se armët që grupi kriminal shiste ishin pistoleta, edhe të llojit Glock, si edhe automatikë. Gjithashtu mësohet se grupi nuk trafikonte armë vetëm nga Kosova për t’i shitur në Shqipëri, por kishte baza edhe në vendin tonë. Sipas informacioneve, në këtë operacion një rast është zbuluar një bazë në Burrel ndërsa antarët e grupit janë kapur duke shitur armë edhe në Shkodër e Laç.

tirana arme trafikim

Sondazh

Poll