Politike

Ngërçi i konstituimit të Kuvendit/ Kurti kritika deputetëve të opozitës: Kanë votuar "Zajednicën" dhe kanë amnistuar kriminelët serbë, sot nuk e votojnë Albulena Haxhiun

As ditën e sotme në seancën e 24-të, nuk ka pasur sukses formimi i komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

31 Maj 2025, 22:29 Nga r.ll
Ngërçi i konstituimit të Kuvendit/ Kurti kritika
albin kurti

KOSOVË- Ngërçi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ende nuk ka gjetur zgjidhje. As ditën e sotme në seancën e 24-të, nuk ka pasur sukses formimi i komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili në një takim më gratë e Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar disa deputetë opozitarë për refuzimin e kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke e krahasuar këtë qëndrim me mbështetjen e mëparshme të tyre për disa vendime të debatueshme.

“Gruaja të cilën më së shumti e ka votuar populli në zgjedhjet e 9 shkurtit është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën. Dhe kush e bën këtë? E bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votuar ‘Zajednicën’ me 27 qershor 2013; po ashtu 10 deputetë që sot janë në opozitë e kanë votuar amnistimin e kriminelëve serbë në veri me 11 korrik 2013; më tej, 7 deputetë opozitarë sot, me 3 gusht 2015 e patën votuar Gjykatën Speciale; dhe, 15 deputetë opozitarë që janë tani e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018. E këta deputetë të papenduar për këto 4 votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, dhe bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë. 5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katërtat këto të këqija, kurse Albulena asnjërën prej tyre.”, u shpreh Kurti.

Në seancën e sotme, kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi. Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares. Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.

albin kurti albulena haxhiu

Sondazh

Poll