Aktualitet

Ambasada e SHBA bën reagimin e parë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit: Presim të vazhdojmë partneritetin me Shqipërinë

Me anë të një postimi në platformën Facebook në faqen zyrtare, Ambasada deklaron se e uron popullin shqiptar për këto zgjedhje dhe më tej thuhet se ata mezi presin të vazhdojnë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë.

27 Maj 2025, 16:03 Nga M.L
Ambasada e SHBA bën reagimin e parë për zgjedhjet parlamentare
Foto ilustruese

TIRANA- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë sot reagimin e parë për zgjedhjet parlamentare të 11-majit. Me anë të një postimi në platformën Facebook në faqen zyrtare, Ambasada deklaron se e uron popullin shqiptar për këto zgjedhje. Ndërkohë që më tej thuhet se ata mezi presin të vazhdojnë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë.

Postimi i Plotë:

Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë përmbyllur një kapitull zgjedhor me rezultat të larta për Partine Socialiste, e cila del sërish forcë dominuese, duke siguruar 83 mandate në Kuvendin e ri prej 140 vendesh. Sakaq ndiqet nga Partia Demokratike me 50 mandate, duke mos lënë pas edhe aktorët e rinj  politik, si Adriatik Lapaj nga Nisma “Shqipëria Bëhet” dhe Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë”.

Partia Socialiste ka siguruar shumicën e votave me 52% të tyre ose përkthyer në 812.316 vota, një numër bindës në Kuvend të cilësuar prej 3/5 ose 83 deputetë. Ndërkohë Partia Demokratike dhe aleatët e saj (PD-ASHM) kanë arritur vetëm 50 mandate, me një rezultat kombëtar prej 522.949 votash (33.7%).

Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve një kërkesë zyrtare për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në disa qarqe të vendit. PD gjithashtu kërkon përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore të këtij qarku.

Në kërkesën e dorëzuar pranë KQZ-së, PD kërkon rrëzimin e tabelës përfundimtare përmbledhëse të rezultatit zgjedhor, duke argumentuar se procesi ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme nga pushteti.

ambasada e shteteve të bashkuara të amerikës

Sondazh

Poll