Politike

Çështja CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA, SPAK mbyll hetimet, merr të pandehur Metën dhe Kryemadhin

Ndër të tjera mësohet se sot Kryemadhi është thirrur nga Prokurorët e Posaçme për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurës.

27 Maj 2025, 11:11 Nga M.B
Çështja CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA, SPAK mbyll hetimet, merr
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

TIRANA- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, për dosjen e lobimit në SHBA dhe çështjen CEZ-DIA. Ndër të tjera mësohet se sot në 12:30 Kryemadhi është thirrur nga Prokurorët e Posaçme për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurës.

“Hetimet janë shtyre deri më në tetor, do shikojmë çfarë do të jetë sot. Do ju njoftojmë”, tha Kryemadhi.

SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë ku në seancë paraprake GJKKO do të vendose nëse çështja do të kalojë për gjykim, kthehet pas për plotësim apo pushohet.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

ilir meta monika kryemadhi

Sondazh

Poll