Politike

Incidenti në Vorë/ Xhixho: Bandat po u bëjnë presion qytetarëve dhe deputetëve

Ajo shtoi se ky cënim i patolerueshëm i standardit zgjedhor nuk ka pse t’i intimidojë qytetarët.

11 Maj 2025, 15:47 Nga M.B
Incidenti në Vorë/ Xhixho: Bandat po u bëjnë presion
Erisa Xhixho

TIRANA- Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka dhënë një deklaratë për mediat ku iu drejtua qytetarëve me thirrjen për të votuar. Xhixho u ndal edhe te incidenti në Vorë teksa tha se bandat po u bëjnë presion qytetarëve dhe deputetëve.

Ajo shtoi se ky cënim i patolerueshëm i standardit zgjedhor nuk ka pse t’i intimidojë qytetarët. Gjithashtu Xhixho u bëri thirrje qytetarëve që të mos dekurajohen para asnjë presioni, por të ushtrojnë të qetë të drejtën në dhomën e fshehtësisë.

Fjala e Zv.Presidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho:

Të dashur bashkëqytetarë,

Dita e sotme është një ditë e mrekullueshme për Shqipërinë, është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë shqiptare. Ky proces që vijon prej orës 7:00 të mëngjesit është mundësia juaj për të vendosur se kush do t’ju qeverisë në katër vitet e ardhshme. Ju keni sot mundësinë të vendosni për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për vendin tonë, për të ardhmen e Shqipërisë.

Gjej rastin të falenderoj me mijëra prej jush që e keni ushtruar këtë të drejtë që në orët e para të nisjes së procesit. Po ashtu, mirënjohje për qindra të tjerë, të cilët mund të jenë përballur me vështirësi apo parregullsi nëpër qendrat e votimit, por i kanë shkuar deri në fund bindjes se e drejta e votës është e shenjtë dhe u përket vetëm atyre. Dua të ndalem këtu te rasti i Vorës, ku bandat po u bëjnë presion qytetarëve dhe deputetëve. Ky cënim i patolerueshëm i standardit zgjedhor nuk ka pse t’ju intimidojë. Mos u dekurajoni para asnjë presioni, por ushtroni të qetë të drejtën tuaj në dhomën e fshehtësisë.

Një thirrje për të gjithë ata që nuk e kanë kryer ende këtë detyrim qytetar. Shkoni në kutitë e votimit sepse ky është borxhi që ua kemi fëmijëve dhe të ardhmes tonë të përbashkët. Është më e rëndësishme se kurrë pjesëmarrja masive në këto zgjedhje! Sot është dita kur të gjithë së bashku do të ndërtojmë një Shqipëri plot shpresë për të ardhmen. Përdoreni kohën që mbetet për të marrë në dorë fatin tuaj! Dilni masivisht dhe votoni! Demokracia është para së gjithash pjesëmarrje. Ndaj shkoni te kutitë e votimit në mënyrë që askush tjetër të mos vendosë për të ardhmen tuaj!

zgjedhjet

Sondazh

Poll