Politike

Zgjedhjet parlamentare/ Voton Presidenti Bajram Begaj

Sot më 11 maj 2025 qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ri.

11 Maj 2025, 09:48 Nga M.B
Zgjedhjet parlamentare/ Voton Presidenti Bajram Begaj
Bajram Begaj

TIRANA- Presidenti Bajram Begaj ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” e cila ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”. Begaj theksoi se këto votime janë të një të rëndësie të veçantë pasi janë të parat zgjedhje që zhvillohen pas hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“M’u duk një proces i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin dhe demokracinë, por kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë për faktin që kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE. Zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira. Kjo ditë duhet të jetë një festë, ku qytetarët duhet të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, pa presion dhe me përgjegjshmërinë se zëri i tyre do të dëgjohet.

Po kështu, duhet të jetë procesi i administrimit dhe numërimit. Në fushatë zgjedhore duhet të ketë ballafaqim idesh dhe ofertash dhe nuk duhet të ketë në asnjë rast në asnjë mënyrë gjuhë bullizuese, pasi një gjuhë e tillë nuk është e pranueshme as për politikanët dhe as për qytetarët e thjeshtë”, tha Begaj.

Sot më 11 maj 2025 qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ri. Janë 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 të zgjedhurit e parlamentit. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.

Në këto zgjedhje parlamentare diaspora voton për herë të parë është vota e diasporës, teksa ishin regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë. Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

bajram begaj

Sondazh

Poll