Politike

Alarm për votën e diasporës / PD kërkon hetim: Pse mbi 7.000 votues janë të 'zhdukur' në diasporë

Në një konferencë për mediat, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, theksoi shqetësimet lidhur me procedurat e ndarjes dhe numërimit të votave të ardhura nga jashtë, sidomos ato nga Greqia.

8 Maj 2025, 14:09 Nga I.A
Alarm për votën e diasporës / PD kërkon hetim: Pse mbi 7.000
Franc Nuri

TIRANË- Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme një tjetër seri problemesh që lidhen me zarfe të votimit të diasporës. Në një konferencë për mediat, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, theksoi shqetësimet lidhur me procedurat e ndarjes dhe numërimit të votave të ardhura nga jashtë, sidomos ato nga Greqia.

Ai bëri me dije se, nga aspekti juridik dhe ligjor, PD do të depozitojë me urgjencë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar sqarime dhe veprime për trajtimin e këtyre zarfeve në mënyrë të veçantë, për të parandaluar problematika të mundshme në procesin zgjedhor.

"Nga aspekti juridik dhe ligjor, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të depozitojmë me urgjencë kërkesën që sapo parashtroi zonja Topalli, sa i takon ndarjes së votave dhe zarfeve me fletët e votimit që vijnë nga Greqia në kutitë e çantave. Nëse sot, kur vijnë fletët e votimit, ato ndahen sipas qarqeve ku do të numërohen më pas, ne do të kërkojmë që tashmë të gjitha zarfet e ardhura nga shteti grek të mbahen veçmas dhe të selektohen sipas zonave dhe qarqeve përkatëse, pak rëndësi ka kjo, por të mbahen veçmas të gjitha zarfet që vijnë nga Greqia, në mënyrë që, nëse do të rezultojnë ankesa apo problematika të tjera, ato të mund të dallohen nga zarfet që vijnë nga shtetet e tjera.

Kjo është një kërkesë që do ta depozitojmë me urgjencë në KQZ. Po ashtu, një kërkesë tjetër që duhet të depozitojmë ka të bëjë me informacionin drejtuar KQZ-së për numrin total të zarfeve me materiale votimi të dërguara nga KQZ-ja përmes operatorit postar DHL në adresat e votuesve shqiptarë të regjistruar në diasporë; numrin e zarfeve që ende nuk janë dorëzuar te votuesit sipas zonave përkatëse; si dhe numrin e zarfeve të kthyera mbrapsht në KQZ si të patërhequra nga qytetarët.

Kjo pikë është shumë e rëndësishme, sepse nuk kemi informacion zyrtar, as në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, se sa janë këto zarfe që qytetarët nuk i kanë marrë pas tentativës së tretë, dhe operatori ka qenë i detyruar t’i kthejë mbrapsht në KQZ. Bëhet fjalë për rreth 7.000 votues shqiptarë të regjistruar jashtë, për të cilët ose e kanë marrë fletën dhe nuk kanë votuar ende, ose nuk e kanë tërhequr dot zarfin, nuk kanë arritur dot ta tërheqin, dhe ne nuk dimë se çfarë ndodh me këta zgjedhës shqiptarë. Për të gjitha këto problematika do të bëjmë kërkesa zyrtare në KQZ. Faleminderit," tha Nuri. 

franc nuri pd

Sondazh

Poll