Sport

Shqiptarët “pushtojnë”, Maqedoninë e Veriut, skuadra kuqezi shpallet kampione!

Skuadra shqiptare e Shkëndijes, me një sezon të dominuar nga cilësia, stabiliteti dhe përkrahja e tifozëve, rikthehet në fronin e futbollit të Maqedonisë.

7 Maj 2025, 23:15 Nga DOSJA
Shqiptarët “pushtojnë”, Maqedoninë e Veriut, skuadra

MAQEDONI E VERIUT - Shkëndija e Tetovës është kampionia e re e Maqedonisë së Veriut. Skuadra kuqezi siguroi matematikisht titullin e pestë në historinë e klubit vetëm dy javë para fundit të kampionatit, pas një fitoreje të merituar ndaj Rabotniçkit me rezultatin 2-1.

Me këtë sukses, tetovarët ia morën kurorën e kampionit ekipit të Strugës, i cili e mbante titullin që nga sezoni i kaluar. Ndeshja nisi në mënyrë të furishme nga ana e Shkëndijës, që tregoi qartë ambiciet për të mbyllur kampionatin sa më shpejt. Në minutën e 5-të, Liridon Latifi zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë.

Epërsia u dyfishua në pjesën e parë me një gol spektakolar nga Fabricio Tamba, pas një asisti të shkëlqyer nga Adamu Alhassan. Pavarësisht një penalltie të kontestuar që i dhuroi Rabotniçkit një gol përmes Cristojaye Daley, Shkëndija ruajti epërsinë deri në fund, duke festuar titullin me tifozët e saj.

Skuadra shqiptare, me një sezon të dominuar nga cilësia, stabiliteti dhe përkrahja e tifozëve, rikthehet në fronin e futbollit të Maqedonisë. Me titullin e pestë të kampionit, kuqezinjtë konfirmojnë se janë një fuqi e pandalshme në skenën vendore dhe një pretendent serioz për suksese edhe në garat ndërkombëtare.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll