Aktualitet

VIDEO/ Nën masa të rrepta sigurie, momenti kur mbërrin në Rinas Florenc Çapja

Çapja mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nën masa të rrepta siguri rreth orës 17:00 të kësaj të premte.

2 Maj 2025, 17:50 Nga N.F
VIDEO/ Nën masa të rrepta sigurie, momenti kur mbërrin në
Pamje nga aeroporti

TIRANË- 44-vjeçari i shumëkërkuar i drejtësisë, Florenc Çapja është ekstraduar pasditen e sotme nga Dubai drejt Shqipërisë.  Çapja mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nën masa të rrepta siguri rreth orës 17:00 të kësaj të premte.

Siç shihet edhe nga pamjet në aeroport ka shumë forca policie. Çapja shihet i shoqëruar teksa ulet nga avioni dhe futet në mjetin e policisë. Çapja ndodhej në Dubai duke shijuar lirinë e tij dhe duke përfituar nga mungesa e një marrëveshje ekstradimi mes qeverisë shqiptare edhe autoriteteve të Dubait.  Ai është një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare. Ai u dënua si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/ Ekstradohet nga Dubai, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan.

44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë. Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

florenc Çapja

Sondazh

Poll